Vazhdon të ecë përpara tratativa mes Milanit dhe Atletico Madridit për transferimin e Theo Hernandez te klubi spanjoll. Mes dy klubeve (pra kërkesë-ofertës) ende mbetet një distancë e madhe, rreth 10 milionë euro, por ndjesitë janë që në fund mund të arrihet marrëveshja, edhe për faktin se vetë lojtari dëshiron të rikthehet te klubi ku u rrit, përpara se të transferohej te Real Madridi, në të kaluarën.
Francezi tashmë ka një marrëveshje paraprake me “Colchoneros”, të cilët do të mbështeten edhe në këtë fakt për të arritur akordin e mbrojtësit të majtë, që shumë gjasa ka të ketë mbërritur në fund të aventurës së tij te Milani.
Aktualisht, siç u përmend, ka një distancë prej rreth 10 milionë eurosh mes kërkesës së Milanit, që kërkon 25 milionë euro për ta lënë të largohet Theo Hernandez, dhe ofertës së Atletico Madridit, e cila për momentin është 15 milionë euro. Hipoteza më e mundshme është që të arrihet te marrëveshja në gjysmë të rrugës, ndoshta me përfshirjen e disa bonuseve.







