Mungon Edy Reja, trajnerët e kombëtareve japin llogari në FSHF

3 Korrik 2020
13:28
Alfred Lleshi
back button

Pritej që në krye të tavolinës të ishte Edy Reja, me statusin e kryetrajnerit të kombëtareve kuqezi, por italiani nuk ia ka dalë të mbërrijë në Shqipëri. Mbetja e vendit tonë i izoluar nga pjesa tjetër e Europës për shkak të nivelit të lartë të Covid-19 e ka bërë të pamundur “fluturimin” e 74-vjeçarit drejt Tiranës. Megjithatë, mungesa e tij nuk e ka pezulluar mbledhjen-analizë të planifikuar nga FSHF-ja me trajnerët e kombëtareve të futbollit. Nën kryesimin e Ilir Shulkut, sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, dhe drejtuesit të Sektorit të Ekipeve Kombëtare, mbledhja ka shqyrtuar çështje organizative, planin e punës para nisjes së edicioneve zyrtare, si edhe për koordinimin e punës në evidentimin e elementëve të vlefshëm, që kanë perspektivë për të ardhmen. Një njoftimin për shtyp të FSHF-së thuhet:

“Sekretari i Përgjithshëm, Shulku, kërkoi nga të gjithë trajnerët që të fokusohen te dokumentimi i të dhënave deri në detaje për çdo talent, në mënyrë që trajnerët e të gjitha moshave të kenë një informacion të bollshëm për çdo futbollist, që aktivizohet në ekipet kombëtare, në të gjitha moshat. Gjithashtu, Shulku kërkoi nga të pranishmit që të vazhdojnë punën dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me njëri-tjetrit për të shkëmbyer të dhëna, informacione të vlefshme dhe bashkërenduar punën në të gjitha nivelet me përfaqësueset.

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe mbi mënyrën se si do të operohet për vëzhgimin e talenteve të reja, që mund të jenë prurje potenciale në ekipet kombëtare, si edhe u fol për organizimin e punës në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare, që nisin në muajin shtator. Po ashtu, u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit dhe komunikimit me klubet për talente të veçantë të evidentuar nga trajnerët kuqezi, pasi janë klubet ato që bëjnë punën më të madhe në formimin e një futbollisti”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit