Nexhipi: Titulli iku, Kupa do të justifikonte sezonin e Kukësit

26 Qershor 2020
12:31
Alfred Lleshi
back button

Kukësi duket se ka ngritur “flamurin e bardhë” në garën për titull, ngaqë Tirana nuk po i jep asnjë mundësi për këtë. Për pasojë, forcat duhen mbledhur në kompeticionin tjetër, të dytin për nga rëndësia, kurorën e të cilit e mban aktualisht. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi e ka objektiv të qartë fitimin e Kupës së Shqipërisë. Shorti i sotëm e ka vendosur përballë Teutës në gjysmëfinale, gjë për të cilën drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, ka nënvizuar:

“Në këtë fazë, gjysmëfinale, nuk ka short të lehtë. Të gjitha ekipet që mbërrijnë këtu kanë kualitet. Shorti na vuri përballë Teutës. Na presin dy ndeshje, shpresojmë të bëjmë më të mirën. Normalisht, çdo vit ne futemi në garë për titullin. Tirana është shkëputur. Pavarësisht se jemi ende në garë matematikisht, titulli duket shumë i vështirë. Kësisoji, synojmë Kupën që ta justifikojmë sadopak sezonin tonë.

Nuk jemi më superiorë se Teuta. Ndeshjet kundër saj kanë qenë përherë të vështira. Kundërshtari ka lojtarë me shumë kualitet, prandaj do të jenë dy ndeshje shumë interesante. Presidenti nuk ka thënë që të fokusohemi vetëm te Kupa. Gjithsesi, ky do të ishte një trofe plus për ekipin tonë. Si vitin e shkuar, dhe këtë herë duam ta ngremë ne trofeun. Finalja? Duhet kaluar Teuta, për të folur për atë. Në letër, Kukësi dhe Tirana kanë dy skuadra të mira dhe mund të ndeshen në finale. Do të ishte një përplasje e fortë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit