Nga Oblak te Kane, ja top-formacioni i yjeve që mbeti jashtë “Topit të Artë”

22 Tetor 2019
12:39
Alfred Lleshi
back button

“France Football” shpalli dje 30 kandidatë për ta fituar “Topin e Artë” për meshkuj, viti 2019. Natyrisht, si përherë në kësi rastesh, ka pasur polemika për disa, që figurojnë në këtë listë, krahasuar me të tjerë, që kanë bërë më shumë ndoshta në klubet dhe kombëtaret e tyre, por mbetën jashtë. Revista prestigjioze franceze sportive duhet t’i ketë marrë parasysh edhe këto gjëra, ndaj mbetet të sqarojë (ose jo) dyshimet që ngërthejnë emra të veçantë, sepse gjithçka lidhet me seriozitetin e çmimit, që tashmë organizohet dhe jepet vetëm nga ajo (pas ndarjes nga FIFA). 

Natyrisht, ishte e pritshme që emra si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Virgil van Dijk e të tjerë të mos mungonin, sepse janë edhe favoritët kryesorë për të triumfuar. Italiania “Corriere dello Sport” ka hartuar pa humbur kohë top-formacionin e lojtarëve, që sipas saj kanë mbetur (pa të drejtë) jashtë nominimeve të “France Football”. 11 emrat e përjashtuar formojnë një skuadër të frikshme yjesh, sipas modulit 4-2-3-1, e aftë edhe për të fituar Champions-in. Duke nisur nga porta, me Oblak, ose Ederson (në listë është përfshirë Lloris). 

Të dy kanë qenë titullarë të skuadrave respektive në 99% të ndeshjeve. Edhe Joshua Kimmich konsiderohet i sakrifikuar, në të djathtë të mbrojtjes. Gjermanit të Bayern Munich nuk i kanë mjaftuar 13 asiste për të hyrë në këtë listë. Vijojmë në qendër të prapavijës së top-formacionit hipotetik, ku shfaqet Gerard Pique, tashmë i shndërruar në pikë referimi te Barcelona dhe në mbarë botën, kur flitet për “centralët” më të mirë. E njëjta gjë vlen për Sergio Ramos, edhe pse ai është penalizuar nga paraqitja zhgënjyese e Real Madridit në sezonin e kaluar, pa fituar asnjë trofe. Pak a shumë, sikurse ndodhi me Modric, fituesin e “Topit të Artë” në fuqi. 

Në fakt, rekordi i ndeshjeve me Spanjën dhe mesatarja e golave, sikur të ishte sulmues, mund ta përfshinin në listën me 30 emra kapitenin e të bardhëve. Në të majtë ka vend për Andy Robertson, kampion Europe dhe titullar me Liverpool. Ndoshta ai ngushëllohet me faktin se ia ka lënë “skenën” shokut të skuadrës, në të njëjtin rol, Alexander-Arnold. Para mbrojtjes, por si mesfushor, mungesë e madhe duket edhe N’Golo Kante. I pafjalë në fushë, por tepër produktiv për Chelsea dhe Francën. Ndoshta është mesfushori shkatërrues më i mirë në botë, fitoi “Europa League” në sezonin e kaluar. Zhduket edhe Luka Modric. 

Pas 25 viteve, “Topit të Artë” i mungon në 30 të nominuarit për çmimin e edicionit pasues fituesi në fuqi. Rasti i fundit i tillë është ai i Marco van Basten më 1993, por mungesa e holandezit u justifikua nga një dëmtim i rëndë, që e detyroi më pas të tërhiqej nga futbolli. Mungesa tjetër është ajo e Jadon Sancho, talent, golashënues, i papërballueshëm, ylli i së ardhmes për Borussia Dortmund dhe Anglinë. Sidoqoftë, nuk konsiderohet i tillë nga “France Football”, nëse sheh kandidatët për “Topin e Artë” 2019. 

Vijojmë me Hakim Ziyech, i cili bëri gjithçka me Ajax, sezonin e kaluar. Marokeni ishte një nga protagonistët më të mëdhenj të mrekullisë së gjigantëve holandezë në Champions. Ndoshta i nevojitet transferimi në ndonjë skuadër të madhe, që të kihet parasysh. Neymar ndoshta e priste “përjashtimin”, sepse ka pasur oshilacione e dëmtime sezonin e shkuar. Braziliani ka prodhuar më shumë lajme jashtë fushës së blertë, por mund të ishte mes 30 kandidatëve. Në majë të sulmit ka vend për Harry Kane, që u shpall nënkampion Europe me Tottenham. Ai është një prej qendërsulmuesve më të kërkuar në botë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit