Një super gafë i hap rrugën fitores së Tiranës ndaj Teutës, Partizani fundos Kukësin me 5 gola dhe i afrohet Europës

2 Mars 2022
18:54
Denis Hakanaj
back button

Tirana ka marrë fitoren e radhës në kampionat dhe ka përforcuar vendin e parë në renditjen e Superiores në javën e 23-të. Bardheblutë kanë mundur 2-0 Teutën në Elbasan Arena dhe kanë shkruar në kuotën e 52 pikëve, nëntë më shumë se Laçi i vendit të dytë, por që ka një ndeshje më pak.

Protagonisti i sfidës ka qenë Seferi, autor i të dy golave për skuadrën e Shehit. Sulmuesi 25-vjeçar ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 17-të, i ndihmuar nga një gafë e pafalshme e portierit Dema. Në minutën e 60-të ka ardhur edhe goli i dytë që ka mbyllur ndeshjen.

Fitore edhe për Partizanin, që ka shkatërruar 5-0 Kukësin në Air Albania Stadium. Festivali i golave për Demat ka filluar në minutën e 36-të me Kallakun, i cili ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.

Katër minuta më vonë ka ardhur goli i dytë me Sukën, i cili nuk ka falur me të majtën e tij. Pjesa e dytë ka filluar si e para, me Partizanit që i janë dashur vetëm 23 sekonda për të gjetur golin e tretë me Stenio Junior.

Dy golat e tjerë kanë ardhur në fundin e takimit. Lika, i aktivizuar nga stoli në minutën e 84-t, ka shënuar në të 89-ën golin e katërt për Partizanin dhe Marku ka shënuar të pestin në të 93-ën me një goditje dënimi perfekte.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit