Njihuni me Gjasulën e vërtetë, pas “helmetës”: Punoja si korrier dhe futbollist njëherësh

19 Nëntor 2019
10:06
Alfred Lleshi
back button

Kur Klaus Gjasula (29 vjeç) vendos në kokë “helmetën” e tij, nga njeriu i dashur i familjes bëhet përbindëshi i vërtetë i fushës së blertë. Kapiteni i Paderborn është lojtari i parë dhe i vetëm që luan në Bundesligë përgjithmonë me mbrojtje në kokë. Tifozët e duan mesfushorin shqiptar për shkak të stilit të tij të fortë të lojës, kundërshtarët i frikësohen atij. Vetë Gjasula shprehet për mediat gjermane, konkretisht “Bild”: “Me një mbrojtëse (përkrenare) në kokë mund të dukesh pak më i dhunshëm. Shumëkush jo domosdoshmërisht dëshiron që të luajë kundër meje. Kjo gjë më dhemb, sepse jepen edhe shumë kartonë të verdhë ndaj meje”.

Po kur u detyrua të luante me “kokore”? Që ditën kur theu mollëzën e fytyrës, gjatë një zënke në tetor 2013, kur luante me Kickers Offenbach në Regionalliga. Një vit më parë këtij “stacioni” të karrierës, si lojtar i Waldhof Mannheim, ai gjithashtu punonte si një korrier (postier). Gjasula e kujton atë kohë: “Unë e bëra atë punë me disa kolegë për të fituar ca para xhepi. Kur luan në ligat rajonale, të nevojiten edhe qindarkat”. Pastaj nisi marshimi deri në majë, deri te Paderborni dhe Bundesliga, vetëm për tri vite. “Qershia mbi tortë” është përfshirja në kombëtaren e Shqipërisë. Gjasula tregon përjetimin e kapërcimit të madh: “Është një ndjenjë e mrekullueshme. Rasti im tregon shumë se ia vlen të mos heqësh dorë kurrë”.

Shoku i vazhdueshëm në këtë ngjitje për mesfushorin ka qenë “kokorja” e tij. Në vitin 2013, Offenbach porositi një të tillë nga një sponsor, i cili e prodhoi me karbon dhe shkumë. Në fakt, ishte një punim artizan, jo nga prodhues i specializuar, sikurse zbulon Gjasula: “Ky nuk ishte profesioni i tij, por ai bëri një punë të shkëlqyeshme. Vlera e kokores? Rreth 2000 euro”. Për arsye mjekësore, ai në të vërtetë nuk do të kishte më nevojë ta mbante “helmetën” e kokës sot. Gjasula e bën këtë, gjithsesi, për forcë zakoni dhe jo për arsye mbrojtëse. Në fund të sezonit, kontrata e tij skadon. Gjasula do të dëshironte të qëndronte në Bundesligë, mundësisht me skuadrën aktuale, Paderborn: “Ne duhet të vazhdojmë të besojmë në veten tonë. Historia ime tregon se gjithçka është e mundur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit