Operacionet sekrete Tare-Mendes, dy “talente” tribune shiten 20 mln euro te Benfica!

22 Qershor 2019
11:23
Anton Cicani
back button

Në verën e vitit 2017, Lazio do të lajmëronte shitjen e Keita Balde për vlerën e 30 mln eurove te Monaco, në Francë. "Arkitekti" i këtij transferimi: Jorge Mendes. Superagjenti i Cristiano Ronaldo & Co bindi klubin e Principatës të paguante aq para për futbollistin që kërkohej edhe nga Juventusi në atë periudhë dhe ofronte më pak.

Keita duke u prezantuar te Monaco

Lotito dhe Tare, presidenti dhe drejtori sportiv i Lazios, "fërkuan" duart për një plusvlerë të rëndësishme për një futbollist që bardhekaltërve u kishte kushtuar vetëm 300 mijë euro. Por, le të kthehemi te raporti miqësor dhe jo vetëm mes Jorge Mendes dhe Lazios por edhe Italisë në përgjithësi.

"Kopështi" i agjentit portugez nga Lisbona është pikërisht Portugalia dhe shumë klube me të cilat ka lidhur tentakulat e tij, së bashku me Pini Zahavin, për të cilin kur publikuam historinë e lidhur me Fali Ramadanin shpjeguan dhe kush ishte dhe se çfarë pushteti ka.

GestiFute është një nga shoqërinë menaxheriale më prestigjoze në botë që numëron më shumë se 300 futbollistë në të gjithë botën dhe gjysma e të cilëve kanë vlerë mbi 2 mln euro.

Por, le të kthehemi te lajmi i ditës, por fillimisht duhet të kthehemi shumë vite më parë: ishte vera e vitit 2017 dhe Lazio do të zyrtarizonte afrimin e dy futbollistëve të panjohur portugezë. Po flasim për Bruno Jordao (20 vjeç) dhe Pedro Neto (19 vjeç).

Pedro Neto (m), Bruno Jordao (mes), Luis Nani (d)

Jorge Mendes i sjell në Itali dhe shtrëngon duart me Igli Taren, që i prezanton entuziast përpara shtypit. Shifrat e operacionit të dyfishtë nuk dalin dhe duhet kohë që të kuptohet, pasi Lazio publikon bilancin e sezonit 2017-2018, kur kuptohet se të dy futbollistët ishin marrë në huazim dy vjeçar 11,5 mln euro.

Dhe, nëse bardhekaltërit brenda këtij 30 qershori 2019 vendosnin t'i blinin duhet të paguanin edhe 7 mln euro të tjera (4,5 mln euro Pedro Neto dhe 2,5 mln euro Bruno Jordao). Sipas "A Bola", madje, bashkë me bonuse për një numër të caktuar aktivizimi dhe minutazhi, shifra në total do të prekte deri 25,5 mln euro.

Pedro Neto në aksion me Lazion: ekziston!

Në fillim, dyshja e talentuar portugeze luan vetëm me ekipin Primavera, pra të rinjtë e Lazios, që vitin kur të dy transferohen bie nga kategoria sepse shumë e dobët.

Sezoni i parë në Serie A është i gjithi në stol te ekipi i parë dhe disa ndeshje me ekipin e të rinjve. Sezoni i dytë, ky që sapo është mbyllur numëron vetëm 42 minuta për Pedro Neton dhe 87 minuta për Bruno Jordao.

Tani, paketa "portugeze" është gati të kthehet në atdhe, aty ku i pret Benfica, destinacioni i ri. Kosto e transferimit? Thuajse 20 mln euro sipas "A Bola". Igli Tare dhe Jorge Mendes shtrëngojnë sërish duart, për një tjetër operacion të fshehur nga ajo çfarë shfaqet. Dy talentet erdhën në Itali, nuk lanë asnjë gjurmë, qëndruan në tribunë dhe stol dhe tani largohen me një vlerë edhe më të lartë nga ajo kur erdhën… dhe Lazio nxjerr plusvlerë.

Misteret e merkatos…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit