Panucci grumbullon edhe 3 lojtarë, largohen Lila e Binaku

18 Mars 2019
15:30
back button

Pasditen e së hënës Kombëtarja shqiptare ka nisur punë në Durrës, për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020, kundër Turqisë e Andorrës.

Nga konferenca për shtyp e së dielës, ku Panucci prezantoi listën, e deri të hënën, shumë gjëra kanë ndryshuar, duke nisur nga porta, ku Gentian Selmani është grumbulluar për të zëvendësuar Thomas Strakoshën, i pezulluar nga Panucci për shkak se nuk erdhi dot në kohë në Shqipëri.

Ndërkaq, mbrojtësi anësor Egzon Binaku dhe mesfushori veteran Andi Lila kanë pasur probleme fizike kohët e fundit dhe pas konsultimit me stafin mjekësor të kombëtares, është vendosur të mos qëndrojnë me ekipin për dy ndeshjet e radhës.

I detyruar nga këto largime të papritura, Panucci ka grumbulluar lojtarë të tjerë, duke kthyer në kombëtare mesfushorët Keidi Bare e Ylber Ramadani, por gjithashtu është grumbulluar edhe Kastriot Dermaku, i cili shton numrin e qendërmbrojtësve.

Në stërvitjen e sotme të fundit që u bashkuan me ekipin ishin Aliji, Taulant Xhaka dhe Abazaj, të cilët kishin fluturime të programuara për mesditën e së hënës. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit