Pas bojkotit, Liga Profesioniste “kyç” edhe gojën. Ja vendimet e sotme

21 Shtator 2020
15:19
Alfred Lleshi
back button

Përmes një njoftimi për shtyp, Liga Profesioniste e Futbollit ka sqaruar çfarë ndodhi në takimin e sotëm me Fidel Yllin, të deleguarin e qeverisë dhe çfarë vendimesh morën 10 presidentët e klubeve të Superiores në unanimitet të plotë:

“Liga Profesioniste e Futbollit zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme me anëtarët e saj, ku u diskutua për vijimin e bojktotit të kampionatit dhe katër kërkesat e drejtuara qeverisë. Mbledhja u drejtua nga presidenti i Ligës, Edvin Libohova. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 10 përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore. Në këtë takim të programuar, merrte pjesë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ndërkaq, mbledhjes iu bashkua edhe deputeti i PS-së, Fidel Ylli, i cili është caktuar nga kryeministri si negociator mes klubeve dhe qeverisë.

Pas diskutimeve dhe debateve që patën palët në tryezë, deputeti Ylli i kërkoi Ligës Profesioniste të Futbollit që të përgatisë një relacion shpjegues, ku të argumentojë një për një në detaje të katërta kërkesat e klubeve dhe propozimet se si duhet të bëhen ndryshimet ligjore. Ai garantoi që ky relacion do t’i dërgohet zyrës së Kryeministrit në mënyrë që të shqyrtohet sa me shpejt dhe që kërkesat të marrin zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Ai premtoi se kjo i hap rrugë takimit të përfaqësuesve të Ligës me Kryeministrin.

Në përfundim të mbledhjes anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit dolën me këto vendime:
1. Bojkoti i kampionatit është i panegociueshëm.
2. Përgatitja dhe dërgimi sa më shpejt i relacionit të detajuar për 4 kërkesat e klubeve drejtuar qeverisë (sot).
3. Heshtje shtypi, deri në mbledhjen e ardhshme, duke pritur takimin me Kryeministrin.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit