Pas paralajmërimit për bojkot, Superiorja ia poston 4 kërkesat Edi Ramës

10 Gusht 2020
12:34
Alfred Lleshi
back button

Liga Profesioniste e Futbollit në vendin tonë i ka dërguar një letër kryeministrit të vendit, Edi Rama, ku i përsërit kërkesat e bëra publike pak ditë më parë, bashkë me kërcënimin për bojkot të sezonit të ri, nëse gjërat nuk ndryshojnë. Tashmë janë të dhjeta klubet e Superiores, ato që kanë firmosur në një document të përbashkët, ku specifikohen kërkesat karshi ekzekutivit shqiptar.

Ja letra e plotë, që mban datën 10 gusht:
Drejtuar SH.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
I nderuar zoti Kryeministër!

Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit, në mbledhjen e tyre të datës 5 gusht 2020, midis të tjerave analizuan edhe situatën financiare në të cilën ndodhen klubet e Kategorisë Superiore në kushtet e pandemisë dhe ndryshimet në paketën ligjore për sportin, të miratuara deri tani nga Kuvendi i Shqipërisë.

Situata e tejzgjatur e pandemisë dhe skenarët pesimistë për kapërcimin e shpejtë të saj kanë dëmtuar financat e klubeve dhe financuesve të tyre, si edhe kanë zbehur në maksimum perspektivën e ofrimit të sponsorëve seriozë dhe të qëndrueshëm. Në këto kushte, anëtarët e Ligës, pas një analize të kujdesshme dhe profesionale, konkluduan se situata e tyre financiare për sot dhe në perspektivë, paraqitet mjaft e vështirë dhe pesimiste për vazhdimin normal të veprimtarisë sportive.

Të ndodhur përballë kësaj situate, anëtarët e Ligës i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të rishikojnë kuadrin ligjor dhe të marrin disa nisma ligjore në kuadër të mbështetjes së veprimtarive sportive të Kategorisë Superiore, si më poshtë:

1. Ndryshime në ligjin për sponsorizimet, duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim-fitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorat, çka e vërteton edhe realiteti i deritanishëm.

2. Përfshirjen e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6 %, si bujqësia dhe turizmi.

3. Faljen e gjobave dhe kamat-vonesave për detyrimet fiskale të klubeve.

4. Zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatim-fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 në 10 vite.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit