Më 5 mars, kur PSG humbiste 0-1 në shtëpi ndaj Liverpool në Champions League, portieri italian Gigi Donnarumma kritikohej nga të gjithë. 3 muaj më vonë ai është kthyer në idhull dhe hero për tifozët parizienë, por që ende pret të mësojë të ardhmen e tij.
Tema e rinovimit po bëhet shumë e nxehtë. PSG ndoshta nuk e konsideroi Donnarumma një top-lojtar absolut. Ata lejuan që kontrata e tij t’i afrohej skadimit të vitit 2026 dhe tani duhet ta rregullojnë atë.
Enzo Raiola, agjenti i Donnarumma, do të takohet me përfaqësuesit e klubit në Los Angeles për të tentuar të arrijnë një marrëveshje. Dhe, nëse palët nuk gjejnë një pikë takimi, atëherë do të nisë gjuetia për portierin italian, që ka mjaft admirues.
Paga e tij prej 10 milionë euro neto në sezon duket pak e vështirë që të plotësohet nga të gjitha klubet, por asgjë nuk është e pamundur. Portieri ka deklaruar shpesh se në Paris ndihet mirë, tani i takon klubit të bëjë lëvizjen e radhës.







