Reali parakalon Manchester United, dominon Anglia. Ja klubet më të vlefshme në botë

17 Maj 2019
15:25
Alfred Lleshi
back button

Manchester United është arritur dhe parakaluar nga Real Madridi si marka më e vlefshme e futbollit në botë, por klubet e Premier League ende e dominojnë renditjen e dhjetë më të mirëve. Sipas raportit më të fundit të “Brand Finance”, të bardhët e kryesojnë listën për herë të parë në gati një dekadë. Klubi mbretëror madrilen mund të ketë pasur një sezon për t’u harruar në fushën e blertë, duke mos fituar dot asnjë trofe, i eliminuar që në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, por ende vlerësohet me 1.44 bilionë stërlina.

Real Madridi ka patur një rritje prej 27 për qind, ndërsa “Djajtë e Kuq” pësuan një rënie prej gati 6 për qind. Klubi i “Old Trafford” tani vlerësohet 1.29 bilionë stërlina. Edhe pse mbetet një nga gjigantët e futbollit europian, Manchester United vazhdon të luftojë për të qenë në majë, pas largimit të trajnerit Sir Alex Ferguson. Sipas studimit, një arsye për rënien si “brand” (markë) e tij është stili i mërzitshëm i futbollit. “Djajtë e Kuq” renditen vetëm të 18-tët në pëlqimet për t’u parë duke luajtur. Shkarkimi i një trajneri (Mourinho), eliminimi që në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe mbyllja jashtë zonës “Champions” në Premier League, nuk i ka ndihmuar ata. 

Manchester United e përfundoi kampionatin në vendin e gjashtë të renditjes, duke munguar në kompeticionin madhor të klubeve europiane, sezonin e ardhshëm. Po ashtu, regjistroi një rekord mjaft negativ, duke humbur 8 nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ndërkohë, Barcelona ka shënuar një rritje me 12 për qind, krahasuar me sezonin e kaluar, për t'u ngjitur në vlerën 1.22 miliardë stërlina. Katalanasit mbajnë vendin e tretë në këtë renditje.

Bayern Munich u rendit i katërti, me 1.15 miliardë stërlina, duke shënuar një rritje prej 13 për qind si “brand”. Kampionët e Premier League zbritën në vendin e pestë, me vlerën 1.1 miliardë stërlina. Pas një tjetër sezoni të pabesueshëm, Liverpool pa rritje prej 20 për qind në vlerën e vet, duke u ngjitur në klasifikim. “Reds” vlerësohen 1.04 miliardë stërlina si “brand”. Finalisti i “Europa League”, Chelsea, pësoi një rënie të vogël, me gati 2 për qind, pasi vlera e tij zbriti në 846 milionë stërlina. 

PSG u ngjit në klasifikim me një rritje prej 21 për qind. Vlera e tij llogaritet 799 milionë stërlina, por ky është lajm i keq për Arsenalin, që parakalohet nga kampionët e Ligue 1. “Topçinjtë” humbën një për qind të vlerës së tyre si “brand”, për t’u renditur pas PSG, me 773 milionë stërlina. Rivali i tyre në veri të Londrës, Tottenham, shënoi një rritje masive. “Spurs” llogariten 20 për qind më shumë se vitin e kaluar, por vetëm kanë ruajtur vendin e tyre në “top 10”, me vlerën 662 milionë stërlina. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit