Reja analizon shortin: Sa mirë që nuk na ra në grup Serbia, ja objektivi

17 Dhjetor 2021
12:31
Alfred Lleshi
back button

Izraeli, Rusia dhe Islanda. Këto janë tre rivalët e kombëtares sonë të futbollit në grupin B2 të Ligës së Kombeve, edicioni i tretë i këtij kompeticioni të UEFA-s. Pas presidentit Armand Duka ka folur edhe trajneri kuqezi, Edoardo Reja. Italiani ka komentuar për faqen zyrtare të FSHF shortin e hedhur dje nga UEFA:

“Unë doja të evitonim Serbinë, sepse është sigurisht një ekipi shumë i fortë. Edhe Rusia është e fortë dhe do të doja ta evitonim, por një nga skuadrat e forta do ta kishim në grup. Islandën nuk e dimë akoma se në çfarë gjendjeje është, ka ndryshuar shumë, ka bërë një skuadër më të re dhe për momentin nuk di çfarë vlerësimesh mund të jap.

Sigurisht, është një grup i vështirë, pak a shumë njësoj për të gjitha skuadrat në Ligën B, por ne jemi të bindur se mund të arrijmë rezultate të mira. Me vjen keq për faktin se do të kemi transferta të lodhshme. Me Rusinë, Islandën dhe Izraelin janë udhëtime të gjata. Uroj që në kalendarin e turneut të mos i kemi transfertat njëra pas tjetrës”.

Më tej, trajneri kuqezi foli edhe për objektivat që do të kemi në këtë edicion të Ligës së Kombeve, teksa sipas tij synimi primar është që Shqipëria të mos renditet e fundit dhe të mos kthehet në Ligën C:

“Si konkluzion do të thoja që në vija të përgjithshme jam i kënaqur me shortin. Objekti ynë primar është të mos renditemi në vendin e katërt dhe të mos zbresim në Ligën C, pastaj nuk i dihet. Tani duhet të analizojmë rivalët dhe t’i njohim mirë, sa të fortë janë dhe në bazë të kësaj analize do të bëjmë vlerësimet tona.

Para se të nisim ndeshjet në qershor do t’i studiojmë dhe do të kem një ide më të qartë. Për momentin nuk mund të them se cila është skuadra më e fortë apo kujt t’i druhemi më shumë. Kam nevojë t’i shoh e më pas të flas në një moment të dytë, pasi të jem më i qartë për vlerat e secilës”.

Së fundi, trajneri i kombëtares komentoi edhe specifikat e kalendarit të qershorit, duke shpresuar që lojtarët tanë të vijnë në gjendje sa më të mirë fizike, pasi kampionatet do të kenë mbaruar dhe duhet krijuar një grup i madh lojtarësh për të bërë rotacion në të katërta ndeshjet:

“Kalendari i ngjeshur në qershor është problemi kryesor. Patjetër që është i barabartë për të gjithë, por ne duhet të krijojmë një grup të rëndësishëm lojtarësh në mënyrë që të kemi edhe mundësi për ndryshime të shpeshta në formacion. Të luash 4 ndeshje në 14 ditë është e qartë që duhet rotacioni. Jo të gjithë mund të luajnë 4 ndeshje të nivelit të lartë në 14 ditë.

Në këtë pikëpamje duhet të zgjedhim një strategji të rëndësishme për të pasur ekipin në formën më të mirë fizike. Nuk e di se si do të vijnë lojtarët në qershor, pasi kampionatet do të kenë mbaruar atëherë. Dikush mund të jetë i lodhur, dikush më i relaksuar. Mua më vjen mirë që futbollistët aktivizohen rregullisht me klubet e tyre, por nëse do të luanin më pak në periudhën para ndeshjeve të kombëtares nuk do të ishte edhe aq keq, mbi të gjitha futbollistët tanë më të rëndësishëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit