Renditja: Danilo Alves është futbollisti më efektiv në Superiore, Telushi e Shtubina surprizat e mëdha

10 Dhjetor 2018
11:43
back button

Partizani kryeson kampionatin, Teuta ka shënuesin më të mirë në Superiore, por futbollistin më efektiv në Superiore e ka Flamurtari. Bëhet fjalë për Danilo Alves, brazilianin i cili vendosi dje fatet e sfidës kundër Laçit, me golin fantastik në pjesën e parë.

Sulmuesi 27-vjeçar nuk shquhet për golat e shënuar, aq sa në Vlorë në asnjë sezon nuk e ka kaluar shifrën e 5 golave në kampionat, por këtë sezon nuk po mjaftohet më me volumin e shkëlqyer që kryen në fushë, sepse po shënon me një rregullsi impresionuese.

Ka luajtur vetëm 543 minuta në Superiore, pasi erdhi në fund të gushtit nga Turqia dhe deri në 21 shtator nuk kishte luajtur asnjë minutë. Debutimi kundër Partizanit shkoi ters, erdhi humbja, por më pas sa herë ka luajtur Danilo, Flamurtari nuk ka njohur humbje.

Jo vetëm kaq, sepse braziliani ka shënuar gol çdo 136 minuta, si asnjë futbollist në Superiore (nga ata që kanë luajtur të paktën një herë titullar) dhe golat e tij kanë qenë të rëndë, sepse kanë prodhuar 10 pikë dhe kanë qenë vendimtarë në ndeshje të rëndësishme, si me Kukësin, Tiranën e Laçin, përveç barazimit ndaj Teutës.

Pas Danilos natyrisht renditet Latif Amadu, i cili ka shënuar vërtet 8 gola, por me një mesatare prej një goli në 162 minuta dhe mbi të gjitha 4 herë ka shënuar me penallti, përveçse ka humbur një të tillë.

Të shkëlqyer edhe Reginaldo e Shkurtaj, me një mesatare shumë të mirë shënimi dhe mjaft efektivë për ekipet përkatës, duke shënuar shpesh golin e parë të ndeshjes.

Perfeksioni quhet Ndriçim Shtubina, sepse mesfushori shkodran ka shënuar 4 gola për Laçin dhe i ka dhënë 12 pikë, duke shënuar gjithnjë golin e parë të takimit për ekipin e vet. Nuk mbetet pas as Bruno Telushi, lojtari më rezultativ te Partizani, me 4 golat e tij, gjithnjë në fitore.

Kanë shkëlqyer edhe Busic e Muzaka, të cilët shënojnë gjithnjë të parët dhe kanë vlejtur 10 pikë për Flamurtarin e Skënderbeun.

Edhe Otto John, ndonëse nuk është titullar në Korçë, ka një mesatare të shkëlqyer goli, çdo 161 minuta gol dhe pikë të çmuara për Skënderbeun, ku vendimtar është edhe Dejvi Bregu, i cili shënon vetëm në fitore dhe të gjitha pa pësuar gol.

Kurioziteti? Ernest Muçi te Tirana ka luajtur vetëm 55 minuta dhe ka shënuar një gol: më mirë se kaq është e pamundur.

RENDITJA

Latif Amadu (8) – gol çdo 162 minuta, 4 penallti, 12 pikë, 6 herë ka shënuar golin e parë të ndeshjes

Reginaldo (6) – gol çdo 223 minuta, 1 penallti, 10 pikë, 4 herë ka shënuar golin e parë të ndeshjes

Shkurtaj (6) – gol çdo 233 minuta, 1 penallti, 9 pikë, 5 herë ka shënuar golin e parë të ndeshjes

Bregu (5) – gol çdo 275 minuta, 0 penallti, gjithnjë në fitore

Roger (5) – gol çdo 217 minuta, 0 penallti, 4 pikë, 4 herë ka shënuar golin e parë të ndeshjes

Busic (4) – gol çdo 337 minuta, 10 pikë, gjithnjë golin e parë të ndeshjes

Muzaka (4) – gol çdo 318 minuta, 1 penallti, 10 pikë, gjithnjë golin e parë të ndeshjes

Shtubina (4) – gol çdo 340 minuta, 0 penallti, 12 pikë, gjithnjë golin e parë të ndeshjes

Telushi (4) – gol çdo 358 minuta, 1 penallti, 12 pikë, 2 herë golin e parë të ndeshjes

Danilo Alves (4) – gol çdo 136 minuta, 0 penallti, 10 pikë, 3 herë golin e parë të ndeshjes

William Cordeiro (4) – gol çdo 324 minuta, 1 penallti, 10 pikë, 3 herë golin e parë të ndeshjes

Sentamu (4) – gol çdo 228 minuta, 0 penallti, 5 pikë, 3 herë golin e parë të ndeshjes

Asani (4) – gol çdo 321 minuta, 0 penallti, 7 pikë, 3 herë golin e parë të ndeshjes

Oto John (3) – gol çdo 161 minuta, 0 penallti, 7 pikë, 2 herë golin e parë të ndeshjes

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht

Lajme të tjera

Lajmet e fundit