Rrëfimi unik i Mavrajt: Shqiptarët u zemëruan pse luajta për Gjermaninë

15 Janar 2020
15:42
Alfred Lleshi
back button

Qielli mbi Rivierën Turke nënkupton temperatura të pranueshme, të paktën gjysmë dite, për mysafirët nga Gjermania. Seanca e mëngjesit të futbollistëve të divizionit të dytë (Bundesliga 2), Greuther Fürth, zhvillohet në 11 gradë. Lojtarët janë të fokusuar plotësisht gjatë shpjegimeve të gjata të Stefan Leitl. Ai lejon që të praktikohet struktura e lojës, teksa vetëm një zë mund të dëgjohet më tej, në të gjithë fushën, ai i Mërgim Mavrajt, kapitenit numër tre të skuadrës. Një profesionist i përgjegjshëm, që lejohet të bëjë shakara pa cak edhe në lidhje me të kaluarën në burg të sulmuesit Daniel Keita-Ruel. Në një intervistë nga lokali i hotelit, ku është akomoduar skuadra gjermane, mbrojtësi flet me një gotë çaji turke përpara. Në çka thotë për “nordbayern.de”, ai mishëron pjekurinë profesionale.

Ngjitjet dhe zbritjet e Mavrajt
Çdo sekondë e intervistës të tij mund të jetë një titull për këtë shkrim. Mërgim Mavraj, i lindur nga prindër kosovarë në Hanau, i rritur në Seligenstadt, afër Frankfurtit, tani është 33 vjeç dhe ka parë shumë në përvojën e tij si futbollist. Me Bochum në “UEFA-Cup”, promovimin dhe zbritjen nga Bundesliga me Fürth, pjesëmarrjen në “Euro 2016” me Shqipërinë, ngjitjen në Bundesliga me Këln, largimin prej aty me HSV dhe Ingolstadt. E megjithatë, verën e kaluar zgjodhi sërish Fürth: “Unë nuk erdha këtu për ta përfunduar karrierën time”. Kontrata e tij zgjat edhe për një vit e gjysmë. Kur u pyet se sa i duket kjo periudhë kohore me Furth, ai përgjigjet me një të qeshur të sikletshme: “Shumë pak”. Dhe Mërgim Mavraj rrallë vihet në siklet.

“Jeni të dashur për tifozët vetëm kur luani mirë”
Ndoshta për shkak se e di që ai nuk është një “favorit” i turmës (tifozëve), si kapiteni i ekipit në Bundesliga (2012-2013), ai kishte pasur fërkime me disa tifozë. Tani e ka të qartë gjithçka në këtë drejtim: “Do të jesh i dashur për tifozët vetëm nëse performon mirë”. Kjo filozofi e ka përshkuar karrierën e tij. Ai e pati përvojën e tillë të parë në një “luftë” për veten. I pajisur me pasaportë nga Gjermania, kombëtarja shqiptare kërkoi talentin, që sapo kishte nënshkruar një kontratë profesionale me SV Darmstadt. Sapo iu dha dokumenti në fjalë, trajneri Dieter Eilts e ftoi atë te Gjermania U-21. Mavraj kujton: “Shqiptarët u zemëruan që luajta për Gjermaninë U-21. Unë ua jepja pasaportën shqiptare autoriteteve, por ata nuk donin ta pranonin”.
Pas disa bisedimesh me kombëtaren e vendit të prindërve të tij, Mavraj është tani madje kapiten i Shqipërisë. Pra, sipas tij falet gjithçka: “Po, nëse performanca është e mirë, gjithçka tjetër është çështje anësore”. Si lojtar, ai u mësua me këtë realitet: “Për mua, ky realitet është shumë i trishtuar. Nëse luani mirë, njerëzit do t’ju trajtojnë me shumë dashuri. Në të kundërt, për ta je askushi. Tifozët nuk duan ta kuptojnë se kjo është një dashuri (respekt) e kushtëzuar. Për ta vlen vetëm fitorja, asgjë më pak. Në botën njerëzore, kjo është situatë e çuditshme”.

“Unë jam nga Seligenstadt”
Mërgim Mavraj ka shumë “spiranca” në jetë: vendi i lindjes, kombësia, klubi futbollistik: “Këto janë gjëra që ju identifikojnë. Për mua, Paolo Maldini nuk është Milani vetëm sepse ka luajtur tërë jetën e tij atje”. Për të, Maldini është një model për shkak të sjelljes së tij brenda dhe jashtë fushës: “Personalisht, gjithashtu, nuk jam ai që kam luajtur për një kohë të gjatë në fushën e lojës. Nuk e përcaktoj veten për gjëra të tilla. Unë jam biri i shtëpisë në Seligenstadt, që dëshiron të shohë rregullisht nënën e tij”.

Vendi i dëshirës, Meka
A është kjo arsyeja, pse lista e tij e klubeve është kaq e gjatë? Sepse nuk është stema në fanellë, ajo që llogarit, por çfarë bën me të. Shumë u habitën që u kthye në shtëpinë e vjetër të Fürth-it. “Kthimi në shtëpi përcaktohet nga njerëzit”, – thotë Mërgim Mavraj. Ai ende udhëton rregullisht drejt Seligenstadt për të vizituar nënën dhe motrat e tij: “Nuk e di se cila është shtëpia, a është Seligenstadt, Kosova apo Meka, për shkak të fesë time…”
Megjithë lidhjen emocionale me klubet e tij, ai nuk e kishte asnjëherë në plan ta bënte listën e punëdhënësve kaq të gjatë. Janë shtatë, klubet ku ka luajtur; nga Darmstadt te Bochum, Fürth, Këln, HSV, Aris Selanik, Ingolstadt dhe përsëri Fürth. “Çdo klub që më kërkoi mua kishte nevojë për një udhëheqës (lider). Unë jap gjithmonë maksimumin, nuk kursehem për atë që më beson”, – shton Mavraj.
Sidoqoftë, atij nuk i pëlqen t’i paketojë valixhet gjatë gjithë kohës. Kjo dëshirë ndryshon vetëm nëse do të shkojë në Mekë. Myslimani i devotshëm tashmë ka qenë atje tri herë: “Unë do të doja të shkoja atje njëqind herë më shumë, sepse ende nuk e kam kuptuar plotësisht përmbajtjen e kësaj çështjeje. Të kuptuarit ka çmimin e ngushëllimit, duhet ta kesh provuar atë”. Një tjetër titull ky, për këtë shkrim, ër jetën dhe karrierën e Mërgim Mavrajt…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit