Shkëndija firmos me mesfushorin e përfaqësueses së Maqedonisë

20 Janar 2019
11:51
back button

Pas afrimi të Agim Ibraimit në skuadër, Shkëndija e Tetovës ka lajmëruar ditën e sotme një tjetër afrim. Bëhet fjalë për Zeni Husmanin, mesfushorin me tipare mbrojtëse, i cili ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur me Shkëndijën deri në verën e vitit 2021.

 Futbollisti ka luajtur në disa kampionate si në Kroaci, Slloveni dhe Turqi. Eksperienca me Shkëndijën do të jetë e para për mesfushorin në Maqedoni. 

Sipas njoftimit të klubit tetovar të bërë në faqen zyrtare, Husmani është një futbollist cilësorë dhe me eksperiencë. Shkëndija ka shfrytëzuar problemet që lojtari ka pasur me klubet paraardhëse për të rrëmbyer shërbimet e tij. 

Mirëpo futbollisti duhet të presë edhe pak ditë derisa të zgjidhen të gjitha ngërçet administrative, për të qenë më pas gati për trajnerin Osmani. 

Husmani sezonin aktual e nisi me Domzalen në Slloveni para se të kalonte në Turqi te Giresunspor. Zeni Husmani ka lindur në Çegran të Gostivarit dhe në moshë shumë të re është transferuar në Kroaci. Si profesionist u promovua te skuadra e Shibenik-ut, para se të kalonte në Slloveni ku për shtatë sezone ishte pjesë e Domzales. 

Është paraqitur me përfaqësuesen e re të Maqedonisë, ndërsa Shkëndija e sjell për herë të parë të luajë në futbollin vendor.  Pas Agim Ibraimit, Zeni Husmani bëhet afrimi i dytë i Shkëndijës në merkaton e janarit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit