Shtyhet derbi i madh i kryeqytetit, Partizani-Tirana. Shkak bëhet… kombëtarja jonë kuqezi

23 Shtator 2023
13:48
Alfred Lleshi
back button

Organizimi i derbit të madh të kryeqytetit Partizani-Tirana, i pari i sezonit të ri, në kuadrin e javës së 6-të të Kategorisë Superiore, ka vënë në lëvizje të dyja klubet. Kuptohet, interesimi më i madh për mbarëvajtjen e tij është i klubit pritës, Partizanit, por edhe bardheblutë mendojnë për t’iu krijuar kushtet sa më të mira tifozëve të tyre për t’i mbështetur në duelin e parë të këtij sezoni me kampionët e kuq në fuqi.

Sigurisht, duke ditur antagonizmin maksimal, madje edhe incidentet e shumta që e shoqërojnë një derbi të tillë, masat e duhura duhen marrë edhe nga policia e shtetit. Janë pikërisht uniformat blu, ato që mund të garantojnë sigurinë para, gjatë dhe pas një përplasjeje të tillë, ku dy tifozëritë e shikojnë si “moment lufte”, cila i “tregon dhëmbët” më shumë tjetrës, në mënyra nga më të ndryshmet.

Palët janë mbledhur sot dhe “kanë lidhur besën”, në kuptimin e një vendimmarrjeje që modifikon ditën e përcaktuar për këtë supersfidë. FSHF, në zbardhjen e kalendarit të Superiores, kishte planifikuar 26 shtatorin për këtë derbi, prej orës 19:00.

Mirëpo, që të respektohej kjo datë duhej luajtur në një stadium jashtë kryeqytetit, sepse “Arena Kombëtare” është e “konservuar” në funksion të “finales” së kuqezinjve ndaj Republikës Çeke. Një kualifikuese e “Euro 2024” që vlen gjithë sezonin eliminator për kombëtaren shqiptare.

Luajtja e derbit para saj në “Arena Kombëtare” do ta dëmtonte tapetin e stadiumit, i cili duhet të jetë në kushte të përsosura për Shqipëëri-Republika Çeke, e cila do të luhet më 12 tetor. Pra, për të mos u larguar nga “Arena Kombëtare”, që ofron komoditet dhe siguri maksimale për derbin, nënkupto këtu edhe të ardhurat financiare nga biletat, të dyja klubet kanë rënë dakord që përballja mes tyre të shtyhet më 19 tetor.

Për këtë kanë marrë edhe miratimin e FSHF-së dhe policisë së shtetit. Ky spostim në kohë do t’i japë mundësinë tapetit të “Arena Kombëtare” të jetë gati për kuqezinjtë fillimisht, më 12 tetor, pastaj për derbin e madh të kryeqytetit më 19 tetor.

Një mundësi e mirë kjo për të dyja tifozëritë, e kuqe dhe bardheblu, por edhe futbolldashësit e tjerë kryeqytetas, që të mos kenë nevojë të “migrojnë” në “Elbasan Arena”, ku ishte menduar të luhej sipas parashikimi kohor, për të ndjekur supersfidën që arrin pikën e vlimit të Kategorisë Superiore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit