Si në “terheqje litari”…; nuk ka paqe mes Ligës dhe qeverisë. Bojkoti i futbollit vazhdon

21 Shtator 2020
15:00
Alfred Lleshi
back button

Klubet e Superiores nuk tërhiqen nga bojkoti, pa u plotësuar katër kërkesat e tyre financiare nga qeveria. Edhe takimi i sotëm mes të ngarkuarit të kryeministrit, Fidel Ylli, dhe Ligës Profesioniste të Futbollit, nuk i ka qetësuar gjërat. Përkundrazi, ka vijuar si në “tërheqje litari”. Edvin Libohova zbuloi diçka nga negociatat e sotme me përfaqësuesin e qeverisë: “Ramë dakord për të dërguar të gjitha komentet mbi katër kërkesat që kemi bërë. Do të kthehem përsëri mbrapa për t’i përgatitur dhe për t’i nisur në qeveri. Përshëndesim deklaratën e zotit Ylli, se qeveria është e gatshme për të realizuar kërkesat dhe që është në sinkron me ne. Do të vazhdojmë me procedurat, do të shohim në dinamikë situatën se si do shkojë. Situata nuk pritet me thikë sot, po e ndjekim gjithë pasditen. Bojkoti? Sigurisht që vazhdon”.

Përpara tij, për mediat dha mendimin dhe qëndrimin e tij edhe Fidel Ylli, deputeti i Partisë Socialiste, i ngarkuar nga qeveria për të negociuar zgjidhjen e këtij probleme, i cili kërkoi nisjen e kampionatit se pastaj gjërat relaksohen, kryeministri kryeministri do të jetë shumë herë më i gatshëm dhe i predispozuar të gjejë hapësirë në agjendën e tij të ngjeshur, që të presë grupin e punës dhe negociatorin e tij për t’iu dhënë zgjidhje problemeve:

Mendoj se është vullneti i kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit që kërkesat e Ligës të kemi mundësi t’i realizojmë. Nuk po them se sa për qind, sepse janë ca gjëra teknike, që duhet t’i flasim me Ministrinë e Financave dhe me specialistë të ndryshëm, por dëshira është e njëjtë. Mendimi i Ligës? Ata duan të vazhdojnë bojkotin. Kërkesa ime, e imja dhe jo e qeverisë, është që nuk mund të negociojnë me kryeministrin duke pasur bojkot. Duhet të fillojnë kampionatin dhe të jenë të bindur se jam këtu si i dërguari i kryeministrit për zgjidhjen e problemit.

Të jeni të bindur që një përfaqësi nga ju, shumë shpejt, duke parë agjendën e kryeministrit, do të jenë zyrat e qeverisë për të folur me detaje, edhe me ministrin e financave, por edhe kryeministrin, që topin e futbollit ta kthejmë në fushë javën tjetër. Takimi ishte shumë i frytshëm, pati debate, por jo aq të ashpra. Unë jam pjesë e sportit, kështu që jam dakord me ta, jam dakord me kërkesat e tyre, por nuk jam specialist i financave. Është ministria e Financave që do të japë viston përfundimtare.

Duke qenë në krah të tyre dhe pjesë e sportit, bashkë me grupin negociator që do të ngremë, do të jemi shumë shpejt në zyrat e qeverisë, Ky bojkot është i mirë për të gjithë sportin. Paketa fiskale do t’i bashkohet edhe disa ligjeve të tjera që kemi. Sporti do të futet në rrugë të drejtë. Sporti duhet të jetë ose shoqëri aksionare, ose shoqatë, sipas ligjit të sportit që kemi bërë. Nuk duhet të jetë i varur nga bashkia. Një bashki diskriminon një sportist elitar, një bashki që e ka futbollin në Kategori të Dytë jep 500 mijë euro. Kjo është e pafalshme. Ne do ta zgjidhim nëpërmjet kësaj reforme.

Do të dyfishohen buxhetet e sportit këtë vit. Me 50%, çdo bashki do të investojë infrastrukturë. Qeveria që ditën e parë ka qenë e gatshme. Hapi i radhës? Liga ka mendimet e saj, ka të drejtën e vet të bojkotojë. Do të ecim shumë shpejt që këto kërkesa t’i vëmë në zbatim. Nëse ata e fillojnë kampionatin, atmosfera do të ndryshojë dhe kryeministri do të jetë shumë herë më i gatshëm dhe i predispozuar të gjejë hapësirë në agjendën e tij të ngjeshur, që të presë grupin e punës dhe negociatorin e tij për t’iu dhënë zgjidhje problemeve“.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit