Tare: Dy fitoret ndaj Juventusit treguan sa vlejmë. Titulli? Është ende herët…

30 Dhjetor 2019
9:52
Alfred Lleshi
back button

Një pjesë e parë e sezonit për t’u vendosur në kornizë për Lazio, duke llogaritur 8 fitoret radhazi në Serie A dhe triumfin në Superkupën e Italisë, kundër Juventusit. Ekskluzivisht për “Sky Sport” ka folur drejtori sportiv bardhekaltër, Igli Tare, i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Globe Soccer”. Atje ishte kandidat për drejtorin sportiv më të mirë të vitit 2019 (çmimi i fituar nga Andrea Berta i Atletico Madrid). Shqiptari foli nga Dubai.

Një pjesë e parë e shkëlqyer e sezonit për Lazio. Cila është vlera e vërtetë e skuadrës suaj?
E vërtetë, ne patëm një gjysmë të parë të shkëlqyer të kampionatit. Vështirësia vjen duke u rritur, ndaj duhet të jemi edhe më të mirë, edhe më të vendosur sesa kemi qenë deri më tani. Duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të bindemi për potencialin tonë, siç kemi bërë dy herë kundër Juventusit, brenda dy javësh. Dy fitoret me kampionët e kanë treguar vlerën e vërtetë të këtij ekipi, por ne duhet të qëndrojmë të përulur dhe të shikojmë drejt së ardhmes me më shumë vendosmëri.

Përulësi, por jo shumë, nëse kjo Lazio dëshiron të luftojë për titullin…
Ne duhet të jemi të uritur për sukses, çka na ndihmon për të fituar. E dimë se do të jetë një pjesë e dytë shumë e vështirë e kampionatit, por jemi të përgatitur për këtë.

A është bukur të mos fshihesh më?
Asnjëherë nuk jemi fshehur. Që nga fillimi i sezonit kemi thënë që ky ekip duhet të luftojë për një vend në Ligën e Kampionëve. Për momentin nëse flasim për gjëra të tjera, është e parakohshme. Nëse 4-5 ndeshje nga fundi i kampionatit do ta shihnim veten duke luftuar për diçka më shumë, do të ishim tejet të lumtur. Në asnjë moment nuk do të fshihemi, por pa e humbur përqendrimin dhe përulësinë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit