Në një intervistë për “Marca”, sulmuesi i Atletico Madrid, Julian Alvarez, iu rikthye aventurës së tij te Manchester City, duke shpjeguar arsyet pse vendosi të largohej nga klubi anglez në verë.
“Kur mbërrita, ata më besuan, më sollën në Europë nga River Plate dhe më bënë të luaja shumë ndeshje në të cilat shënova disa gola dhe fitova trofe. Gjithçka ishte perfekte dhe nëse do të kisha qëndruar atje do të isha mirë, por më duhej diçka ndryshe”, tha Alvarez.
“Brenda meje dëgjova një zë që më thoshte se kisha nevojë për një sfidë tjetër, diçka të re. Dhe ndjeva se Atletico mund të ishte vendi ku mund të rritesha më së miri dhe të gjeja versionin më të mirë të vetes”, tha sulmuesi argjentinas.
“Dua të luaj të gjitha ndeshjet më të rëndësishme, por me City nuk luajta në gjysmëfinalet apo në finalen e Champions League dhe këto janë ndeshjet që do të kisha dashur të luaja”, tha Julian Alvarez.
Më pas Alvarez flet për rëndësinë e Simeones në zgjedhjen e tij për të veshur fanellën e Atletico: “Cholo më foli në ditët para Olimpiadës dhe më bindi duke më thënë shumë gjëra të mira për klubin, jo vetëm në të tashmen, por edhe me synimin për të ardhmen”.
“Ajo që më tha më pëlqeu. Sapo mbërrita në aeroportin e Madridit dhe pashë të gjithë ata njerëz që më prisnin, u ndjeva i rëndësishëm. Dhe tani po përpiqem të dëshmoj vlerën time në fushë”, tha Julian Alvarez.







