“Tërmet” tek arbitrat e Superiores, përjashtohet i pari

10 Prill 2019
10:21
back button

Ka vite që arbitrat në futbollin shqiptar janë në shënjestër, akuzohen për gjithçka, edhe për motin e keq apo për fushat me gropa. Natyrisht, nuk janë pa mëkate, sepse ka gafa sa për të bërë një libër voluminoz, por më e keqja është se askush nuk e ka të qartë ku qëndron kufiri mes gabimeve nga paaftësia dhe atyre me qëllim, për të ndihmuar një ekip apo dëmtuar një tjetër.

Këtë sezon, sidomos në javët e fundit, tensioni është rritur jashtëzakonisht për shkak të garës së nxehtë në të gjitha drejtimet, por sidomos në fundin e tabelës, aty ku ecuria e shkëlqyer e Kastriotit dhe Luftëtarit ka futur në telashe të mëdha edhe Tiranën.

Kjo e fundit është ankuar jo pak për gjykimin në ndeshje të caktuara, por në mënyrë të veçantë për gjykimin e ndeshjes Kastrioti-Tirana, në Krujë. Aty arbitër ishte 31-vjeçari Olsi Sokoli, i cili e bëri lëmsh, duke bërë jo pak gabime që vendosën fatet e sfidës.

Nga penalltia deri te disa kartonë të dhënë apo të padhënë, por edhe një akuzë për racizëm nga Tirana (kjo mbetet akuzë e pavërtetueshme), kanë bërë që Sokoli të dënohet rëndë, raporton “Panorama Sport”, që shkruan sot se arbitri tiranas është përjashtuar nga çdo aktivitet me urdhër të FSHF-së dhe nuk dihet a do të kthehet më të gjykojë, të paktën në nivele të larta.

Duke qenë se FSHF nuk është transparente dhe nuk i publikon asnjëherë vendimet e saj, mbetet për t'u verifikuar në vazhdim a do të jetë real dhe serioz ky vendim, ndërkohë që "tërmeti" tek arbitrat do ishte mirë të vazhdonte, për të pastruar një herë e mirë një pjesë shumë të rëndësishme të futbollit, ku mjaftojnë pak arbitrime të dyshimta për të përlyer gjithë arbitrat, edhe ata që janë mëse korrektë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit