Tirana bën “harakiri” para derbit të madh kryeqytetas, e mposht Erzeni

27 Nëntor 2023
15:46
Alfred Lleshi
back button

Java e 14-të e Superiores e ka ngritur siparin me një surprizë të papritur. Erzeni ka shokuar bardheblutë e Julian Ahmatajt, duke i mundur me rezultatin 1-0. Goli i shënuar nga Mihana në minutën e 36-të ka vendosur fatin e këtij ballafaqimi të luajtur në “Egnatia Arena”.

VAR-i ia ngriu buzqeshjen në buzë dy herë Tiranës, duke i anuluar gola si të pavlefshëm. Kjo gjë duket sikur u kthyen në makth për kryeqytetasit, të cilët vuajtën edhe grintën e shijakasve, mjaft të vendosur për të mos dalë pa pikë.

Puna dhe dëshira e madhe e tyre u shpërblye me 3 pikë, mjaft të çmuara për objektivin, që është mbijetesa. Hap fals i bardhebluve, që nuk kanë vazhdimësi, edhe pas ndërrimit të trajnerit (Shehi-Ahmataj).

Disfatë që ndikon edhe te morali para derbit të madh të kryeqytetit, të cilin e rezervon kalendari i ngjeshur i këtij fundviti shumë shpejt për Tiranën. Me këtë fitore, Erzeni ngjiten në kuotën e 16 pikëve, në vendin e 6-të, ndërsa skuadra e Julian Ahmatajt mbetet në vendin e 3-të të Superiores, me 21 pikë.

Po kjo e hënë rezervon një ndeshje tjetër të Superiores, derbin Partizani-Dinamo City. Në kuadrin e javës së 14-të, nesër do të luhen ballafqimet e tjera: Laçi-Egnatia, Kukësi-Skënderbeu dhe Teuta-Vllaznia.

Golin e fitores së Erzenit mund ta shikoni KETU

Lajme të tjera

Lajmet e fundit