Në Vlorë dhe Tiranë janë luajtur dy ndeshjet e para gjysmëfinale play off në basketboll për femra. Pas përfundimit të sezonit të rregullt, vetëm Vllaznia i ka thënë “lamtumirë” kampionatit, ndërsa katër skuadrat e tjera vijojnë garën.
Flamurtari, që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë, fitoi 81-51 në fushën e tij ndaj Studentit. Një ndeshje që ishte formalitet për vlonjatet, që u shkëputën 22-6 që në periodën e parë. Rreshpja me 21 pikë ishte shënuesja më e mirë për Flamurtarin.
Në “Fahrie Hoti”, ekipi i Tiranës fitoi 73-62 ndaj Partizanit në derbin kryeqytetas. Pas një periode të parë të ekuilibruar (19-19) bardheblutë shkëputën në çerekun e dytë, por diferenca bëhet në 10-minutëshin e fundit.
Partizani mban gjallë shpresat deri pas 30 minutash lojë, por dorëzohet në fund. Daleba dhe Baughman, me nga 16 pikë secila, u dalluan për Tiranën, duke i bërë të pavlefshme 19 pikë e Ornala Lalaj për Partizanin.
Gjysmëfinale play off – Femra
Nd.1, Flamurtari – Studenti, 81-51 (1-0)
Nd.1, Tirana – Partizani, 73-62 (1-0)
11 prill, Studenti – Flamurtari, 14:00
12 prill, Partizani – Tirana, 19:00







