Turpi në Air Albania Stadium, tre tifozë procedohen penalisht (Video)

16 Janar 2022
10:24
Denis Hakanaj

Ajo që është parë në Tirana-Vllaznia, ndeshja e Kategorisë Superiore e luajtur dje në Air Albania Stadium, ka qenë një njollë turpi për futbollin shqiptar.

Kaosi i parë në shkallët e stadiumit duket se nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

Policia e Tiranës, në fakt, ka proceduar penalisht tre tifozë për hedhje flakadanësh në fushë, veprime të dhunshme dhe dëmtimin e stolave të stadiumit.

Njoftimi i plotë policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Vllaznia të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, bënë identifikimin, shoqërimin dhe proceduan penalisht shtetasit, të cilët gjatë ndeshjes hodhën flakadanë në fushë dhe pas përfundimit të saj ushtruan veprime të dhunshme, duke dëmtuar stolat e stadiumit.

Nga shërbimet e Policisë u proceduan penalisht shtetasit A. F., 26 vjeç, B. K., 33 vjeç dhe E. S., 26 vjeç, pasi gjatë zhvillimit të ndeshjes kanë kryer veprime të kundraligjshme duke ndezur flakadanë, hedhur lëndë piroteknike në fushë, thyer stola.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë që kanë ushtruar veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit