Tévez: Ka të tjerë në hall, futbollisti rri edhe 6 muaj apo një vit pa u paguar

3 Prill 2020
11:29
Alfred Lleshi
back button

Carlos Tévez dha një intervistë për “América TV”, në të cilën analizoi situatën në Argjentinë përballë pandemisë së “Coronavirus”. Lojtari i Boca Juniors nënvizoi se futbolli duhet të tregojë anën e tij humane në një moment kaq të vështirë për popullatën: “Futbollisti mund të jetojë edhe gjashtë muaj, ose një vit pa u paguar. Ne nuk kemi dëshpërimin e të tjerëve, që luftojnë çdo ditë për bukën e gojës, që duhet të dalin nga shtëpia e tyre në orën 6 të mëngjesit dhe të kthehen në orën 7 të mbrëmjes, për të ushqyer familjen. 

Ne nuk jemi në kësi halli, në këtë rast, por të tjerët. Duhet të ndihmojmë, të jemi në dhomat e ngrënies së të tjerëve. Për ne është e lehtë të flasim nga shtëpia, duke e ditur që kemi ushqim për fëmijët tanë. Ka shumë njerëz të dëshpëruar, të cilët nuk mund të lëvizin dhe, nëse largohen nga shtëpia, mund t’i ndalojë policia. Kjo është me të vërtetë shqetësuese. Qeveria po i bën mirë gjërat për këta njerëz, por ne duhet të mbështesim ata që kemi komshinj, në lagje, sa më shumë që të kemi mundësi.

Edhe klubet e futbollit duhet të përfshihen në kësi ndihmash. Në vend që të shkojmë të stërvitemi në mëngjes, ato duhet të kërkojnë nga ne që të bëjmë gjëra të mira për njerëzit në nevojë. Unë jam i kënaqur, e di se familja ime është mirë. Sidoqoftë, të jesh me njerëzit në nevojë këto ditë, të bën shumë më të fortë. Aty fillon shembulli i shkëlqyeshëm njerëzor. 

Ju mund të bëni video nga shtëpia, por shembulli i shkëlqyeshëm do të ishte që të gjithë të dalim jashtë dhe të ndihmojmë. Fëmijët tanë janë mirë, por duhet të shqetësohemi për ata që nuk kanë për të ngrënë. Ne duhet të shqetësohemi si shoqëri, të gjithë. Është një virus i ndyrë dhe të gjithë duhet të ndihmojmë për ta përballuar këtë situatë të rrezikshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit