“I thashë klubit se nuk dua një skuadër më të madhe. Nuk dua të lë pesë ose gjashtë lojtarë në pritje apo në tribunë. Nuk e dua këtë. Do të largohesha nga klubi. Dua të bëj një skuadër më të shkurtër, me më pak lojtarë dhe pastaj do të qëndroj“.
Është ky mesazhi që trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, i ka dërguar klubit në lidhje me skuadrën që dëshiron të ketë në dispozicion sezonin e ri. Një mesazh i qartë për klubin në funksion të tregut të transferimeve të kësaj vere.
Ajo që e bëri trajnerin të mërzitej ishte nevoja për të mos thirrur 5 lojtarë për ndeshjen që City zhvilloi kundër Bournemouth (të fituar 3-1). Abdukodir Khusanov, Savinho, James McAtee, Claudio Echeverri dhe Rico Lewis mbetën jashtë listës prej 20 lojtarësh dhe e ndoqën ndeshjen nga tribuna.
Një situatë e papranueshme për trajnerin katalanas, i cili mbështetet shumë te shpirti i ekipit për të arritur suksesin: “Është e pamundur të krijosh një frymë ekipi si kjo, të cilën e kemi humbur pak këtë vit. Ndoshta për tre-katër muaj nuk kemi mundur të nxjerrim 11 lojtarë, nuk kishim asnjë mbrojtës, ishte vërtet e vështirë”.
“Gjithsesi, sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më kështu. Si trajner nuk mund të stërvit 24 lojtarë dhe sa herë që bëj një përzgjedhje duhet të mbaj katër, pesë, gjashtë prej tyre në shtëpi, sepse nuk mund të luajnë”, tha Guardiola.
“Kjo gjë nuk do të ndodhë më. I thashë klubit se një gjë të tillë nuk e dua”, deklaroi Pep Guardiola, që shpesh këtë sezon u ankua se dëmtimet ndikuan në rezultatin.







