Veseli: Të luajmë pa frikë ndaj Turqisë, nuk ka Messin dhe Ronaldon!

20 Mars 2019
14:25
Alfred Lleshi
back button

Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet për kualifikuesen e së premtes mbrëma, që do ta luajnë në “Loro Boriçi” ndaj Turqisë, me start orën 20:45. Në konferencë për shtyp, mesditën e sotme kanë dalë Frederik Veseli dhe Ardian Ismajli. I pari, që luan në Serie A me Empolin, ka nënvizuar mes të tjerash:

 “Synimi ynë janë tri pikët ndaj Turqisë. E dimë se ta nisim mbarë në ndeshjen e parë është mjaft e rëndësishme. Do të japim gjithçka kemi për të triumfuar. Formacioni? Jam në dispozicion trajnerit. Ndihem mirë, pasi kam luajtur rregullisht në ekipin tim. Dua ta ndihmoj kombëtaren, por se kush luan e vendos trajneri. 

Roli im? Si qendërmbrojtës ndihem më mirë, por mund të luaj edhe në krahë. Kontriubuoj kudo që ka nevojë trajneri. Nëse më aktivizon si qendërmbrojtës, e di që jap më të mirën. 

Strategjia? Do mundohemi të mos përsërisim gabimet e së shkuarës. Kjo është ndeshje ndryshe nga ajo me Skocinë. Sonte kemi analizën dhe do ta studiojmë Turqinë, për të vendosur si do t’i kundërvihemi asaj. Na nevojitet shumë përqendrim, lojë grupi dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin në fushë. 

Objektivi? Në futboll nuk ka asgjë të pamundur. E kemi mundur Francën dhe Turqinë më parë, edhe pse në miqësore. E dimë që Islanda është shumë e fortë, por i kemi mundësinë të kualifikohemi.

Ka ardhur momenti që të japim më të mirën he të kualifikohemi në grup. Kemi pasur krizë rezultatesh në ndeshjet e shkuara, por kemi luajtur mirë. Na kanë ndëshkuar disa episode. Me rëndësi është t’i eliminojmë gabimet. 

Strakosha e Lenjani? Harmonia është diçka e madhe në një ekip futbolli. Nuk diskutoj për problemet e lojtarëve, secili ka mendimin e vet. Kushdo që është këtu nuk mendon pse nuk vjen dikush tjetër, apo pse është vetë. Ne mundohemi të ruajmë harmoninë në ekip. 

Kundërshtari? Ka një sulm të mirë, por jo të jashtëzakonshëm. Duhet respektuar Turqia, por jo ta marrim me frikë. Personalisht kam luajtur edhe ndaj sulmeve më të fortë. Turqia nuk ka Mesin dhe Ronaldon. Patjetër që kundërshtari ka kualitet, por nuk duhet ta lejojmë të shprehet siç do”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit