“Zërat se u shit me Lituaninë? Këto janë idiotësira”; Duka ka një apel për kombëtaren

15 Shtator 2020
11:46
Alfred Lleshi
back button

I ftuar në emisionin “Pressing” në televizionin “ABC Neës”, kreu i qeverisë së futbolllit shqiptar u pyet edhe për humbjen e papritur dhe turpëruese ndaj Lituanisë, çka u shoqërua edhe me zëra për lëshim a trukim të saj. Këtë të fundit, Armand Duka e mohon kategorikisht:

“Më ka shqetësuar paraqitja e ekipit, impenjimi. Humbja vjen edhe me rezultat të mirë, por erdhi me lojë të keqe. Shqetësohem se është një fenomen i vjetër i futbollit shqiptar. Nuk motivohemi kur mendojmë se kundërshtarët janë të vegjël.

Menduam se i kishim gjashtë pikë. Menduam gjashtë pikë, pa hyrë në fushë. Ajo që bëmë na nxori me tri pikë. Nuk e kemi për herë të parë. Është çështje psikologjike, e të gjithëve, e stafit, e federatës. Duhet të gjejmë mënyrën t’i motivojmë.

Nuk mund t’ia vë përgjegjësinë trajnerit. Unë mendoja se e kishim të fituar. Të njëjtën gjë kanë menduar edhe futbollistët. Ata ishin më seriozë dhe e fituan ndeshjen. Zërat se u shit, u bë? Këto janë idiotësira. Nuk mund t’ia vë përgjegjësinë trajnerit. Edhe unë mendoja se e kishim të fituar”.

Një vlerësim edhe për situatën e KOKSH: “Çdo punë e marr seriozisht dhe mundohem të jap kontributin tim maksimal. Nuk kam asgjë personale me askënd, por jam kundër mënyrës se si drejtohet. Kam parë komitete të tjera jashtë. CONI në Itali është i rëndësishëm. Edhe këtu dua të ketë një komitet normal. Nuk aspiroj të jem drejtues në atë komitetit, madje as në asnjë komision.

Nuk kam asnjë interes, asnjë emër personal se kush duhet ta drejtojë. Jam që ajo shoqatë duhet të rregullojë jetën e saj, të bëhen zgjedhje normale. Kemi qenë në asamble, që nuk kanë qenë normale. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë e veta. Nuk mbështes askënd, vetëm komitetin si institucion. Dua të funksionojë më mirë, siç duan edhe federatat e tjera olimpike”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit