Barcelona kishte synuar një tjetër miqësore në fund të sezonit pas ndeshjes së fundit të La Liga-s kundër Sevillas. Megjithatë, duket se planet e tyre për ta bërë këtë janë prishur.
Blaugranat po kërkonin një tjetër miqësore prej 4-5 milionë euro në Seul, Korenë e Jugut, dhe kishin hapur bisedimet me një promotor të Koresë së Jugut për të organizuar takimin.
Plani ishte që të luanin një miqësore me FC Seul në datat 30 ose 31 maj, por angazhimet e tyre në kampionat më 28 maj dhe 3 qershor e kanë vështirësuar detyrën.
Fakti që lojtarë të ndryshëm mund të jenë me kombëtaret respektive, do ta linte Barcelona-n pa disa prej yjeve të ekipit, duke ulur tarifën që do të merrnin. Mundo Deportivo thotë se Barcelona është detyruar të anulojë planet.
Më herët gjatë sezonit Barcelona udhëtoi për në Dallas, Teksas, për të luajtur një miqësore pas ndeshjes së tyre të fundit të vitit 2023. Më parë ata kanë pasur edhe miqësore në mes të sezonit dhe pas sezonit me Boca Juniors, Vissel Kobe dhe një ekip australian.