“Jemi më mirë se një vit më parë, herët a vonë do ta fitojmë titullin në Premier League”

21 Maj 2024
10:28
Telesport
back button

Për të dytin vit me radhë, skuadra e Arsenal e mbylli renditjen e Premier League në vendin e dytë, pas Manchester City, në një garë të vendosur në sfidën e fundit. Fitorja 2-1 ndaj Everton nuk shërbeu për asgjë te “topçinjtë”. Gjithsesi, mesfushori Martin Odegaard vlerëson sezonin e Arsenal.

Jam i lumtur që morëm fitoren dhe nuk u dorëzuam deri në momentin e fundit, duke luftuar për titullin. Donim t’u dhuronim tifozëve tri pikët dhe fitoren në shtëpinë tonë dhe ia dolëm mbanë. Fatkeqësisht nuk patëm fatin të fitonim titullin edhe pse ishim shumë afër”, tha Odegaard.

Ne gjithmonë po bëjmë hapa të mëdhenj. Nëse e krahasojmë me sezonin e kaluar, ne ishim më të pjekur duke arritur një rekord të ri fitoresh në kampionat. Pra, ne po bëjmë shumë gjëra të mira dhe është vetëm çështje kohe para se të fitojmë disa trofe të mëdhenj”, u shpreh norvegjezi i Arsenal.

Më tej, 25-vjeçari, që këtë sezon realizoi 8 gola në Premier, tha: “Ne do të vazhdojmë të shtyjmë çdo ditë për ta bërë këtë. Ne ndihemi pak të zhgënjyer tani, kemi ardhur kaq afër. Por nëse shikoni sezonin, ishte e pabesueshme. Mendoj se hapat që po bëjmë janë shumë më të mëdha se vitin e kaluar”.

Unë jam krenar për djemtë dhe jam krenar për ekipin, klubin, tifozët të gjithë. Mbështetja që kemi pasur gjatë gjithë sezonit, jashtë dhe në shtëpi, ka qenë e pabesueshme. Ne i duam shumë dhe shpresojmë që sezonin e ardhshëm të mund të kthehemi dhe t’u japim atyre një trofe për të festuar”, tha Odegaard.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit