Bob Arum promotori i njohur i boksit, beson se Tyson Fury bëri mjaftueshëm për të mposhtur Oleksandr Usyk në përplasjen historike të 10 ditëve më parë në Riad, që solli unifikimin e titujve kampionë bote në peshën e rëndë. Përpos kësaj, ai dhe stafi i tij po shikojnë mundësinë e revanshit të menjëhershëm përpara fundit të vitit.
“Ashtu siç e shikoja unë pas raundit të 10-të i thashë Frank Warren që Tyson duhet të fitojë një nga dy raundet e ardhshme për të fituar luftën. Ai nuk e fitoi raundin e 11-të, por qartësisht fitoi raundin e 12-të”, tha Bob Arum për “Sky Sports”.
Duke bërë ndarjen e raundeve, ai thotë: “Kisha raundin e parë për Usyk, pastaj gjashtë raundet e ardhshme për Tyson. Pjesa tjetër për Usyk, përveç raundit të fundit, të cilin ia dhashë Fury. Si përfundim, kisha shtatë raunde me pesë, kisha Tyson duke fituar me një pikë, ashtu si një nga gjyqtarët”.
Gjithsesiu, Fury dhe Usyk pritet të takohen sërish në bazë të klauzolës së revanshit. “E di që Tyson është në ankth për revanshin. Mendoj se ndoshta do të jetë në nëntor ose dhjetor, sepse nuk mund ta bëni këtë në tetor. Djemtë janë stërvitur për një vit të tërë dhe tani që ata të kthehen në stërvitje nuk ka kuptim”, tha Arum.
“Kontrata parashikon që revanshi të zhvillohet në Arabinë Saudite, ku janë edhe paratë. Ata janë mikpritës të shkëlqyeshëm. Mendoj se prezantimi i duelit ishte i mrekullueshëm. Kështu që jam i sigurt që revanshi do të ndodhë në Arabi”, tha më tej Bob Arum për mediat.