Kapiteni i Holandës dhe Liverpool-it, Virgil van Dijk, i ka thurur elozhe mbrojtësit të Spanjës dhe Barcelona-s, Pau Cubarsi.
Holanda u përball me Spanjën në çerekfinalet e Nations League të enjten në mbrëmje, me ndeshjen e parë që u mbyll në barazim 2-2.
Van Dijk dhe Cubarsi ishin të dy titullar, por talenti i spanjollëve doli nga fusha në minutën e 41-të për shkak dëmtimi.
Gjiganti holandez tha pas ndeshjes:
“Mendoj se është një talent i madh, një lojtar special. Të jesh në këto nivele në moshën 18 vjeç është mbresëlënëse. Është i jashtëzakonshëm.
“Nuk ka stilin tipik të lojës të Barçës sepse Pau jep edhe pasime të gjatadhe është shumë i mirë në këtë. Është diçka që më pëlqen edhe mua të bëj”.
Van Dijk foli edhe për dëmtimin e Cubarsi:
“U ndjeva keq për të që u dëmtua, por mendoj se është një talent i madh dhe po flasim për një lojtar me një të ardhme të shndritshme”.
Holanda dhe Spanja do të ndeshen për ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Nations League të dielën në Mestalla.
Megjithatë, ka pak mundësi që Cubarsi të jetë në dispozicion të trajnerit De la Fuente.







