Sulmuesi 24-vjeçar portugez Joao Felix ka refuzuar së fundi një transferim te Benfica, ekip ku ka luajtur para se të transferohej në Spanjë. Portugezi, në pronësi të Atletico Madrid, luajti i huazuar te Barcelona këtë sezon.
Felix bëri një paraqitje të mirë, me 10 gola në 44 ndeshje, ndaj ka shprehur dëshirën që dy klubet të rinovojnë huazimin. Sipas “Sport”, sulmuesi kërkon që të luajë te Barcelona edhe sezonin tjetër, klubin e tij të zemrës.
Për momentin nuk ka asnjë sinjal se si do të shkojë situata me Joao Felix, teksa do të shihet edhe dëshira e trajnerit të ri Hansi Flick. Klubi katalanas ka lënë të nënkuptohet se do të jetë trajneri gjerman ai që do të vendosë.
Disa herë klubet kanë deklaruar gjatë sezonit të kaluar se huazimi mund të rinovohet, por Atletico kërkon të arkëtojë nga sulmuesi. Por Barcelona nuk mund të investojë për shkak të “fair play financiar”, ndaj çështje mbetet ende e hapur.