Te Barcelona ka nisur një revolucion, ku pas largimit të trajnerit Xavi në detyrë është emëruar Hansi Flick. Një ndryshim që ka befasuar disi talentin spanjoll Lamine Yamal, që ka mbetur i habitur me situatën e krijuar te klubi i tij kohët e fundit.
Për “Mundo Deportivo” ai tha: “Ishte një moment shumë i çuditshëm. Fillimisht u largua, pastaj qëndroi… Ishte e çuditshme, sepse kishim parë të njëjtën gjë si ju. Shumë i trishtuar sepse për mua ai ishte trajneri i parë elitar që kam pasur ndonjëherë, por këto gjëra ndodhin në futboll”.
Duke folur për trajnerin e ri, Yamal shtoi: “Nuk e njoh shumë dhe nuk kam biseduar me të. Ai ka një lojë mjaft sulmuese, mjaft të drejtpërdrejtë. Unë jam vërtet i sigurt. Mendoj se do të bisedojmë kur të kthehem dhe do të flasim pak për të ardhmen”.
Sulmuesi i ri e di edhe se çfarë i duhet Barçës për të përmirësuar sezonin e ardhshëm. “Ne duhet të kemi më pak luhatje, siç kemi pasur herë pas here këtë sezon që sapo u mbyll. Pasi të shënojmë një gol duhet të shënojmë të tjerë e jo të pësojmë”.
“Duhet të ruajmë të njëjtin ritëm nga një pjesë loje në tjetrën, Kjo është e vetmja gjë që duhet të përmirësojmë, sepse nga mendoj se mund të konkurrojmë dhe fitojmë me çdo ekip në botë”, tha Yamal.