PSG tronditi Barcelonën në shtëpi, duke e mposhtur me përmbysje 2-1. Një mbrëmje e paharruar për skuadrën e Luis Enrique. Me këtë fitore, kampionët në fuqi të Europës arrijnë kuotën 6 pikë në 2 ndeshje dhe ngjiten në vendin e tretë të renditjes, pas Interit kryesues.
Pas ndeshjes, Nuno Mendes, i cili mbuloi drejtpërdrejt Lamine Yamal, foli për “Canal+”: “Ishte një ndeshje e luftuar, por ne gjithmonë besojmë te vetja. Kemi shumë të dëmtuar, por ata që luajtën ishin fantastikë. Kjo është ajo që na duhet; lojtarë që hyjnë për të ndihmuar dhe luajtur futbollin tonë. Edhe me shumë mungesa treguam potencialin tonë dhe luajtëm në nivelin më të lartë”.
Mbrojtësi portugez shtoi: “E dimë që këtë vit do të jetë më e vështirë, sepse të gjithë duan të na mposhtin. Ne jemi të vetëdijshëm dhe të përqendruar. Zbresim në fushë gjithmonë për të fituar”.







