Spanja në gjysmëfinale të “Euro 2024”, Gjermania “lan duart” me kompeticionin që po luhet në shtëpinë e saj prej 14 qershorit. Çerekfinalja e parë e këtij Europiani mes Gjermanisë mikpritëse të kompeticionit dhe Spanjës, me fitore të plota deri tani, ka prodhuar emicione të pafundme.
Kjo për shkak se 90 minutat e kohës së rregullt nuk ka prodhuar dot fitues. Rezultatin e bardhë e kanë zhbllokuar iberikët, me anë të Dani Olmo në minutën e 51-të. Pasi i përpiktë për golin erdhi nga Yamal, i cili do të zëvendësohej nga Ferran Torres në minutën e 63-të.
Duhet nënvizuar fakti se që në minutën e 8-të, Spanja bëri një zëvendëim të detyrueshëm, sepse Pedri u dëmtua dhe nuk vazhdoi dot më tej. Në vend të mesfushorit të Barcelonës u aktivizua Olmo, i cili zhbllokoi shifrat i pari.
Epërsia e iberikëve zgjati deri në minutën e 89-të. Madje, kishte minuta që skuadra spanjolle po mendonte të mbronte fitoren e çmuar, por “in extremis”, pasi kishte bërë disa zëvendësime, duke “lehtësuar” sulmin me forca të reja në mesfushë, u ndëshkua nga Wirtz.
Gjermania shpërblehet kësisoji për përpjekjet e mëdha në pjesën e dytë, duke mbetur në lojë për kualifikim në gjysmëfinale. Sidoqoftë, dy shtesat nga 15 minuta ishin më të kujdesshme për të dyja skuadrat, të cilat bënë gjithçka për të mos pësuar.
Mirëpo, pikërisht një minutë nga fundi i shtesës, Spanja i “ktheu reston” vendit mikpritës të turneut. Nëse një minutë nga fundi i kohës së rregullt (89’), Wirtz barazoi për gjermanët, kësaj here, një minutë larg fundit, që do t’i dërgonte skuadrat drejt penalltive, ishte Merino që tundi rrjetën e portës së Neuer për herë të dytë.
Minuta e 119-të rikthen epërsinë e iberikëve, të cilët shfrytëzuan njëlloj përgjumje të mbrojtjes vendëse, kryesisht të Rudiger, duke u klualifikuar me “shpirt ndër dhëmbë” në gjysmëfinale.