Ancelotti në rrezik, Capello e mbron: Real Madridi të tregojë të njëjtin respekt që ai ka treguar për klubin

21 Prill 2025
12:18
Alfred Lleshi
back button

Ambasador i “Laureus Awards”, gala-së vjetore, ish-trajneri i Real Madridit, Milanit dhe Juventusit, ndër të tjerë, Fabio Capello, ka analizuar situatën aktuale të “Los Blancos”, skuadër që vetë e ka drejtuar në dy periudha të ndryshme gjatë karrierës së tij:

“Mendoj se Barcelona do të shpallet kampione këtë vit, sepse shënon shumë gola. Të shtunën katalanasit patën fat, pasi morën një penallti në minutën e 98-të. Sidoqoftë, për të fituar duhet edhe fat”, – u shpreh ai në programin “Fútbol es fútbol” në “Telemadrid”.

Lidhur me eliminimin nga Champions League, Capello shtoi: “E shoh Real Madridin duke vuajtur, bashkë me Ancelottin, presidentin dhe tifozët. Ishte një ndeshje e çuditshme ajo ndaj Arsenalit. Nuk më ngjau si një Real Madrid normal, me vendosmërinë e zakonshme. Kundërshtari zhvilloi një ndeshje të mirë.

Carlo është trajneri më fitues në botë, por nuk mund ta zgjidhë gjithmonë çdo problem. Këtë sezon ka pasur mjaft telashe, me shumë dëmtime, duke qenë i detyruar të rindërtojë mbrojtjen në çdo ndeshje. Po kështu, i ka munguar një ‘dirigjent’ si Kroos në mesfushë. Kjo është ndjerë shumë. Prej aty nis loja dhe filtrohet për të mbrojtur, është zemra e skuadrës”.

Në fund, Capello shprehu shpresën se Ancelotti do të vazhdojë të jetë trajner i Realit edhe sezonin e ardhshëm: “Shpresoj që të mos e shkarkojnë Ancelottin dhe t’i tregojnë të njëjtin respekt që ai ka treguar për Real Madridin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit