Barcelona nis manovrat e para në merkato, Deco takim me përfaqësuesit e mesfushorit të rivalëve

10 Maj 2024
8:39
Telesport
back button

Skuadra e Barcelona ka nisur që tani të mendojë për sezonin e ri. Drejtori sportiv i skuadrës katalanase, Deco, ka kryer disa takime, ku më i fundit është ai me menaxherët e mesfushorit Alex Baena, që luan me Villareal.

22-vjeçari spanjoll prej disa sezonesh po bën një paraqitje të mirë në La Liga, ndaj dhe klubi katalanas synon ta sjellë në “Camp Nou”. Lojtari ka një kontratë deri në vitin 2028 me Villareal, klub ku dhe është rritur, ndërkohë që kostoja e kartonit shkon 25 milionë euro.

Vetë futbollisti spanjoll Alexa Baena, pak ditë më parë nxiti thashethemet e transferimeve, duke deklaruar: “Të luash për Barcelonën është një nga ëndrrat më të mëdha për këdo që merret me këtë sport, është skuadra më e mirë në botë”.

Një mesazh i qartë ky nga ana e lojtarit, që ka luajtur edhe dy ndeshje me kombëtaren spanjolle, ku ka debutuar së fundi. Tashmë duhet bindur Villareal për ta lënë të lirë, për të evituar që ata të ngrenë pretendimet financiare.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit