Covid-19 gjunjëzon Partizanin para derbit, edhe 3 futbollistë të tjerë pozitivë

10 Korrik 2020
8:33
Alfred Lleshi
back button

Nuk janë vetëm dy futbollistë të prekur nga Covid-19 te Partizani, sikurse u njoftua parmbrëmë, por pesë të tillë. Edhe tre “dema” janë konfirmuar të infektuar mbrëmë, kur kanë dalë përgjigjet e tamponit, të cilit iu nënshtrua krej skuadra kampione në fuqi. Kështu, veç Boldor dhe Ferati, pozitivë kanë dalë edhe Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote.

Ja njoftimi i klubit: “FK Partizani njofton rezultatet e testeve të kryera nga ekipi për COVID-19. Në total janë kryer 50 tamponë dhe nga përgjigjet zyrtare të konfirmura nga ISHP (Insituti Shëndetit Publik), tre pjestarë të ekipit, Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dhe janë asimptomatikë.

Pjesa tjetër e skuadrës, stafi dhe punonjës të klubit kanë dalë negativë. Në zbatim të protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lojtarët janë izoluar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës. Ekipi gëzon gjendje optimale dhe pavarësisht mungesave është gati për të dhënë maksimumin në derbin me Tiranën”.

Ndërkohë, përplasja e madhe me Tiranën nuk do të shtyhet. Derbi i katërt i këtij sezoni do të luhet sonte, sipas parashikimeve, prej orës 20:45, në “Arena Kombëtare”. Nga pesë lojtarët e konfirmuar me koronavirus, tre prej tyre janë titullarë, ndaj të kuqtë do ta ndiejnë patjetër mungesën e Boldor, Çinari dhe Mala.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit