Ka nisur me humbje aventura e kombëtares së meshkujve në basketboll, që në takimin e parë të fazës para-eliminatore të Botërorit 2029 (Grupi C), u mund 73-63 nga Sllovakia jashtë fushe. Një ndeshje që në përgjithësi u komandua nga vendasit, që e merituan fitoren.
Edhe pse kuqezinjtë e nisën më mirë ndeshjen, duke udhëhequr 23-19 pas periodës së parë, janë vendasit ata që shpejt marrin komandën e lojës. Pjesa e parë e takimit përfundon 41-35 për Sllovakinë, që në cerekun e tretë administron mirë avantazhin (57-52).
Gjithsesi, Shqipëria nuk ka forcën e duhur të përmbysë shifrat edhe në 10-minutëshin e fundit megjithëse përpiqet shumë. Diferenca sa vjen e bëhet më e madhe dhe vendasit, të mbështetur nga tifozët e shumtë, fitojnë 73-63, duke korrur suksesin e parë në këtë turne.
Shënuesit më të mirë për Shqipërinë ishin Xhuljan Tola me 16 pikë e Elvis Dusha me 11 pikë, por që s’mjaftuan. Në këtë grup bën pjesë edhe Kosova, që sot ishte pushim. Më 30 nëntor, Shqipëria do të përballet në Shkodër pikërisht me Kosovën në ndeshjen e dytë në grup.







