Europiani i shtangës, Onuzi dhe Meta mbyllin aventurën e kuqezinjve

5 Qershor 2022
16:39
Telesport
back button

Ka përfunduar Kampionati Europian i Peshëngritjes për të rritur që për 8 ditë me radhë u zhvillua në Tiranë. Në ditën e fundit të garave, në pedanë janë ngjitur dy shtangistët e fundit kuqezinj, Ardit Onuzi dhe Albert Meta, që garuan në Baterinë B të peshës 109kg.

Në stilin e shkëputjes, Onuzi realizoi me sukses dy provat e para me 150 e 156kg, por dështon në provën e tretë me 160kg. Ai e mbyll këtë stil në vendin e shtatë. Ndërsa Meta u klasifikua i nënti, duke realizuar 148kg në provën e parë dhe 153 në provën e tretë (dështoi me 152kg në provën e dytë).

Në stilin e shtytjes është Meta ai që renditet më mirë, i 10-ti, duke i realizuar me sukses të trija provat: 172, 176 e 180kg. Ndërsa Onuzi realizon me sukses vetëm provën e dytë, me 165kg, peshë që dështoi ta realizojë në provën e parë. Pa sukses edhe prova e tretë me 171kg.

Në dygarësh, shtangistët kuqezinj u renditën në vendin e 9-të me Albert Meta, që në total ngriti 333kg. Ndërsa Ardit Onuzi u rendit në vendin e 13-të, me 321kg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit