Gjesti unik, Valencia nderon në këtë mënyrë dashurinë e një tifozi special

4 Qershor 2019
15:36
Denis Hakanaj
back button

Stadiumi "Mestalla", Tribuna Qendrore, radha 15, vendi 164. Një ndenjëse e thjesht portokalli, në dukje e ngjashme me 49,676 të tjerat që janë në shkallët e stadiumit të Valencia-s, por që fsheh një histori të madhe dashurie dhe sporti. 

Deri dy vite më parë, aty ulej Vicente Navarrio Aparico, tifoz i zjarrtë i "Blanquinegres", pasioni i të cilit për Valencia-n ishte në gjendje të kalonte çdo pengesë. Për shkak të një shkëputje të retinës 40 vite më parë, në fakt, Vicente ka humbur shikimin. 

"Humbja e shikimit e ka bërë akoma më tifoz", ka pranuar djali i tij, që nga viti 1993 e ka shoqëruar në stadiumi sa herë që Valencia luante në "Mestalla". Vicente ka vendosur të mbajë abonimin për të jetuar atmosferën e stadiumit, për të "perceptuar Valencia-n", ndërsa shoqëruesi i tij, i ulur në krah, i rrëfente në vesh aksionet e ndeshjes. 

E ka bërë deri në momentin që fiziku i tij ka rezistuar. Dy vite më parë Vicente është ndarë nga jeta dhe Valencia ka vendosur ta nderojë më një statujë bronzi që e tregon të ulur në ndenjësen e tij të zakonshme, me syze të errëta, teksa shijon ndeshjen e skuadrës së zemrës.  

Vicente përfaqëson formën më të pastër e të qenit një tifoz i Valencia-s, ka qenë fraza që klubi i ka dedikuar tifozit special. Statuja është një nderim për të gjithë ata që e kanë ndihmuar Valencia-n të jetë ajo që është. 

Në një video-mesazh, djali i Vicente ka falënderuar klubin për gjestin, që e ka lejuar babanë e tij të jetë i pranishëm në një vit kaq të rëndësishëm për Valencia-n, si ai i njëqindvjetorit. Klubi është themeluar më 18 marsin e 1919-ës, saktësisht 100 vite më parë.  

Dhe për njëqind të tjerë, nëse jo më shumë, do të vazhdojë të shkruajë historinë e tij, gjithmonë para syve të Vicente, i cili do të vazhdojë të mbështesë ekipin nga i njëjti vend prej ku e ka bërë gjithmonë: Stadiumi "Mestalla", Tribuna Qendrore, radha 15, vendi 164. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit