Ilir Daja s’e njeh ende fitoren, jep kushtrimin para sfidës me Kukësin

16 Tetor 2021
13:04
Alfred Lleshi

Në katër ndeshjet e para të këtij kampionati, Partizani nuk e ka shijuar ende fitoren. Një start jo fort pozitiv për të kuqtë, që e presin nesër Kukësin në “Arena Kombëtare”. Sa për referencë, verilindorët janë të tretët në klasifikim, me 7 pikë, ndërsa “demat të shtatët me 3 pikë.

Presioni është i madh tashmë mbi Ilir Dajën, që të ndryshojë kurs, ndryshe nervat e presidentit Demi edhe mund ta tradhtojnë… E meqë jemi te nervat, pikërisht qetësi kërkon nesër Daja. Në konferencën për shtyp, trajneri i Partizanit u shpreh:

“Ndërprerja prej dy javësh e kampionatit ka të mirën e vet, sepse lojtarët akumulojnë energji dhe riaftësohen, por ka dhe anët jo të mira, pasi 2-3 lojtarë kanë qenë të impenjuar me ekipin përfaqësues U-21 dhe janë bashkuar të mërkurën me grupin. Gjithsesi kemi patur mundësi që të rikuperojmë lojtarët kryesorë me probleme si Junior, Kaçe dhe Musta, të cilët janë bashkuar me grupin.

Këto dy javë iu kanë dhënë më shumë mundësi sidomos Junior dhe Mustës, pasi Kaçe ka patur një periudhë me stëvitje të diferencuar pak më gjatë dhe të dielën pritet të jetë gati. Kemi patur kohën e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen, ashtu si dhe kundërshtari. Kukësi është një skuadër që i ka merituar pikët, sepse e ka justifikuar edhe me lojërat e zhvilluar këto javë. Ka instaluar një manovër ku përfshihen të gjithë lojtarët dhe për këtë ka meritë stafi teknik, sepse kundërshtari luan në grup.

Nesër, për të fituar ndaj Kukësit, duhet të kemi nerva të forta dhe të shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit. Jemi përgatitur mirë, nesër nuk do mendojmë që të shkojmë me patjetër te fitorja, sepse do të na kthehej në një stres, por do ta interpretojmë lojën me qetësi dhe do të shfrytëzojmë momentet tona për të arritur te fitorja. Muaj vendimar për Partizanin? Të gjitha ekipet janë në të njëjtin presion si Partizani, ne pak më shumë, sepse nuk na ka munguar loja, por pikët në këto katër javët e para.

Kemi kontigjentin për të rikuperuar edhe në drejtim të rezultatit, sepse nëse flasim për këto katër javë të luajtura dhe të bëjmë një analizë të qetë, besoj se kemi dominuar ndaj kundërshtarëve. Natyrisht, duhet të minimizojmë gabimet individuale, sepse i kemi dhuruar golat në 3 javë. Nevojitet qetësi para portës kundërshtare në finalizim. Ne e kemi studiuar Kukësin dhe besoj të njëjtën gjë ka bërë edhe kundërshtari. E përmenda edhe më parë që Kukësi i ka merituar pikët, ndoshta mund të kishte edhe më shumë, me lojën e zhvilluar.

Kemi punuar që t’i minimizojmë sa më shumë manovrat dhe mundësitë e tyre. Duhet të jemi me nerva të forta, të gjejmë momentin e duhur për të goditur. Nëse do të prishim ekuilibrat, Kukësi, me sulmin e shpejtë dhe shumë forca, mund të na godasë. Vështirësi ka çdo ndeshje, ashtu siç kemi ne, kanë edhe ekipet e tjera. Është fillimi i kampionatit, oshilacione do të ketë, por duhet të jemi të qetë.

Situata te Partizani? Po t’i referohemi ndeshjes së fundit, pa përmendur emra, ne kemi një kontigjenti prej 30 lojtarësh që stërviten në ekipin e parë. 13 prej tyre janë nën moshën 21 vjeç. Nesër mund të jetë në formacion edhe një lojtar, i cili në një të ardhme të afërt mund të bëhet një nga më të mirët e kampionatit shqiptar. Maguette është vetëm 18 vjeç, Rrapaj vetëm 20 vjeç, bashkë me Markun, dhe Saliou që do ta startojë nesër ndeshjen nga fillimi. Partizani i ka mundësitë që të shkojë aty ku pretendojnë tifozët tanë dhe të përligjë objektivat e klubit.

Rikthimi në “Arena Kombëtare”? Ne i kemi zhvilluar ndeshjet si pritës në një stadium tjetër shumë të mirë, siç është “Elbasan Arena”. Të gjithë e dimë se stadiumi në kryeqytet ka kushtet dhe fushën tashmë të përmirësuar. Eshtë një ambient ku do të na duhet mbështetja e tifozëve tanë, sepse stadiumi krijon kushtet optimale në të gjitha drejtimet për të ndjekur një shfaqje të bukur”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit