Ilir Dajës i dekonspirojnë formacionin, ai kapet me gazetarët para Skënderbeut

3 Dhjetor 2021
12:23
Alfred Lleshi
back button

Ilir Daja ka pasur një kërkesë të habitshme sot për gazetarët. Ua ka thënë në sy, në konferencën për shtyp, duke kërkuar mirëkuptim reciprok, ndryshe klubi do të detyrohet t’i ndalojë të ndjekin stërvitjen e të kuqve. Fjala është për spiunim të formacionit, çka i shërben kundërshtarit. Trajneri i Partizanit është ndalur edhe te situate e skuadrës që drejton dhe ndeshja e nesërme me Skënderbeun, e cila do të luhet në “Air Albania” prej orës 16:45:

“Vijmë pas 3 ndeshjeve të mira, por edhe kundërshtari është në formë. Në këto 10 javë kampionati është vërtetuar se nuk ka ndeshje të lehta, pasi të gjitha ekipet kanë treguar forcën e tyre. Nesër na pret një ndeshje e vështirë.

E kemi thënë që elementi kryesor është grupi dhe shpirti i skuadrës. Kjo ekziston te Partizani, pasi u pa edhe ndaj Teutës, kur ekipi bëri maksimumin për të marrë fitoren dhe për të dalë nga kjo krizë rezultatesh. Edhe unë kam gëzuar bashkë me lojtarët, por nuk mund të vrapoja, pasi nuk kisha taka dhe mund të isha rrëzuar. Kthesën e bënë lojtarët që kanë shpirt gare dhe nuk dorëzohen.

Skënderbeu është për t’u lavdëruar pasi mbrohet mirë dhe kërkon që të godasë me kundërsulme. Ne kemi punuar, kemi patur kohën e duhur. Është e vetmja javë që nuk kemi patur ndeshje në mes. Skënderbeu siç ka pika të forta, ka edhe të dobëta. Ne duhet të jemi të duruar e ta godasim te këto pikat e dobëta.

Merkatoja e janarit? Kemi kontigjent lojtarësh. Edhe pse nuk kemi pikët e duhura, nuk jemi dominuar nga asnjë kundërshtar. Sezonin e kaluar nuk kemi patur dëmtime, ndërsa këtë sezon kemi shumë. Respektojmë lojtarët që kemi, në merkaton e janarit do të bëjmë përforcime në disa reparte që kemi nevojë. Nuk do të largojmë asnjë. Nuk do të përmend asnjë emër, pasi më të rëndësishëm janë lojtarët që kemi tani.

Tani kemi rikuperuar Maguette dhe Kamara, që janë lojtarë të talentuar. Dihet mungesa e Albion Markut për shkak kartonash, Damçevksi, Filipovic dhe Cardozo janë të dëmtuar, ndërsa pjesa tjetër është gati për të përballuar këtë ndeshje të vështirë. Alban Hoxha? Do të vendosim së bashku me trajnerin e portierëve për titullarin nesër.

Ju gazetarët mos tregoni formacionin disa ditë para ju lutem, sepse në të kundërt nuk do t’iu lejojmë që të vini në stërvitje. Duhet të jemi korrektë me shtypin, të dyja palët duhet të kenë respekt reciprok. Nuk e kam personale me një gazetar, por me moralin e çështjes”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit