Ironia e “guerrilsave” të Partizanit: Sot rinis kampionati i “infektuar”….

3 Qershor 2020
16:02
Alfred Lleshi
back button

Kategoria Superiore rifillon sot, me ndeshjet e javës së 27-të. Pas ndërprerjes mbi 2-mujore, për shkak të pandemisë së Covid-19, skuadrat kanë dilemat e tyre mbi formën sportive që mund të gëzojnë, por edhe dëmtimet që mund t’i penalizojnë. Situata nuk është komode në këtë drejtim, ashtu sikurse të luajturit në stadiume bosh ka peshën e vet. Thënë ndryshe, futbollistët duhet të përballojnë jo pak ngarkesa të llojeve të ndryshme, edhe psikologjike, në pjesën e mbetur të sezonit.

Partizani ka dalë nga lufta për trofe, në të dyja kompeticionet kombëtare, por synon të kapë Kupat e Europës. Të kuqtë pritet ta ndiejnë më shumë ndoshta mungesën e “lojarit të 12-të”, sepse mbështetja në këtë aspekt ka qenë e madhe gjithmonë. Pak orë para se të startojë sfida Partizani-Skënderbeu në “Selman Stermasi”, tifo-grupi i njohur i 16 herë kampionëve të vendit, “Ultras Guerrils”, kanë dhënë kushtrimin e vet në distancë për skuadrën e zemrës:

“Ju kurrë nuk do të jeni vetëm! Sot, ora 20:00, rinis kampionati i “infektuar”. Futbolli pa tifozët është shfaqje e trishtë. Nevoja për të rifilluar nxitimthi kampionatin lidhet ngushtë me interesat ekonomikë te institucioneve europiane te futbollit dhe federatës, pak rëndësi ka për ta futbolli e akoma më pak tifozi. Fatkeqësisht, kjo në opinionin futbollistik shqiptar nuk prodhon as minimumin e debatit dhe në fund, siç ndodh rëndom, bëhet si duan ata që vendosin.

Sidoqoftë, sot futbolli rifillon, tifozët janë të dënuar ta shohin nga larg, në formën e shfaqjes televizive. Për ne është pak e vështirë, se ndryshe nga të gjithë, nuk e kemi parë kurrë televizorin si opsion. As me zor dhe as nga zori, as nga turpi dhe as nga halli, as në ditë të mira dhe as në të vështira. Ashtu si dhe mbështetjes nuk i kemi vendosur kurrë kushte, ashtu dhe sot, duke i shprehur mbështetjen ekipit tonë, i urojmë fitoren. Shpresojmë që tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe në fushë të shfaqet një Partizan me tjetër grintë dhe karakter. Forca Partizan! UG si askush, askush si UG!”

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit