Jo vetëm tragjedia Dwamena, arbitri rrezikoi jetën dje në Fier. U godit pas koke dhe ra pa ndjenja në fushën e lojës (video)

12 Nëntor 2023
11:34
Alfred Lleshi
back button

E shtuna e 11 nëntorit 2023 do të mbetet e trishtë për tërë historinë e futbollit shqiptar. Arresti kardiak në fushën e blertë, që i mori jetën më pas Raphael Dwamena rrugës për në spital, tronditi mbarë opinionin tonë futbolldashës.

Madje, kjo vdekje tragjike e sulmuesit 28-vjeçar ganez bëri jehonë në tërë mediat botërore. Një moment shumë i vështirë, sikurse është humbja e jetës së një futbollisti mjaft të talentuar, por edhe rast për ndërgjegjësim, për kontrolle mjekësore shumë të rrepta në sportin dhe futbollin tonë.

Sidoqoftë, po dje, një tjetër ngjarje e shëmtuar është regjistruar në futbollin tonë, por që kaloi disi në heshtje për shkak të tragjedisë në stadiumin e Rrogozhinës. Një arbitër futbolli ka rrezikuar seriozisht jetën në stadiumin e Fierit, ku është goditur në kokë me sende të forta.

Vetëm Zoti e ka shpëtuar gjyqtarin fushë-krujas Blerim Ziri, i cili ka rënë pa ndjenja në tokë, pasi stoli plastik i stadiumit, i hedhur nga një tifoz aty pranë, e ka goditur pas kokës. Ky incident i rëndë, sikurse thamë më lart, ndodhi në Stadiumin “Loni Papuçiu”, ku po zhvillohej ndeshja e Kategorisë së Parë, Apolonia-Vora 2-1.

Sikurse duket edhe në video, Blerim Ziri ishte arbitër i katërt dhe në momentin e goditjes ishte mes dy stolave të dy skuadrave, aty ku e ka të përcaktuar me rregullore. Tifozët nuk u mjaftuan me kaq, edhe pse i rrezikuan jetën arbitrit të katërt, tentuan të hyjnë në fushë. Pasi shkatërruan hekurat e rrethimit të fushës, u ndeshën me forcat e policisë, që nxituan me shpejtësi për të mos agravuar skajshmërisht situata.

Nuk ka pasur asnjë reagim për momentin nag FSHF-ja. Ka mbajtur qëndrimin e vet FK Vora për atë që ndodhi në Fier, përmes kësaj komunikate zyrtare: “Dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me FK Apolonia, e luajtur ditën e shtunë (11.11.2023) në stadiumin ‘Loni Papuciu’, në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë së Parë

Në përgjigje të reagimit të publikuar nga skuadra e FK Apolonia për ndeshjen e zhvilluar, theksojmë se kryesia dhe i gjithë stafi i klubit tonë Vora distancohet dhe i dënon veprimet e tilla, ku lojtarët, stafi teknik dhe arbitrat ofendohen apo sulmohen në ndeshjet futbollistike në vendin tonë.

Qëndrimi apo reagimi juaj në disa raste nuk është i saktë për atë që ndodhi, sepse stadiumi i Apolonisë nuk i plotëson të gjithë kushtet e nevojshme për sigurimin e lojtarëve, stafit, drejtuesve dhe të tifozëve sipas rregullave të FSHF, kishte mungesë të theksuar sigurie.

Sa i përket arbitrit të katërt, Blerim Ziri, i goditur me stol në fundin e ndeshjes, stoli erdhi nga tribuna kryesore dhe jo nga sektori mik. Ftojmë klubin FK Apolonia që të jetë më konstruktive në deklaratën që ka bërë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit