Do të jetë një mbrëmje festive, e pasur edhe me program artistik, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe kombëtares kuqezi, e cila mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur: finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Në këtë mbrëmje, e kthyer tashmë në traditë nga FSHF, nuk do të mungojnë edhe të ftuarit specialë, personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit, medias dhe kolegë e miq të federatave të tjera.

Kandidatët për fitues të çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar pas një procesi të gjatë e transparent votimi, të udhëhequr nga FSHF-ja dhe që ka nisur prej kohësh.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2023” të nominuarit janë: Arinaldo Rrapaj, Florent Hasani dhe Bekim Balaj, ndërsa për “Topin e Artë 2023” për vajza finalistet janë: Valentina Troka, Ezmiralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2023’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit, ndërsa për çmimin “Trajneri i Vitit 2023” kandidaturat janë: Mirel Josa, Orges Shehi dhe Edlir Tetova.

“Talenti i Vitit 2023” do të shpallet njëri mes Ledjo Tresës, Ergis Arifit dhe Arlind Kurtit, tre prej lojtarëve të rinj që kanë spikatur këtë sezon.  Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2023” janë në garë: Rosela Vasa, Klesta Ago dhe Klaudia Borci.

Për çmimin “Arbitri i Vitit 2023” tre të nominuarit janë Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti dhe Enea Jorgji. Në fund, do të zbulohet “Formacioni i Vitit 2023” me emrat e 11 lojtarëve më të dalluar përgjatë vitit për çdo pozicion, të cilët janë përzgjedhur përmes votimit nga gazetarët e emisionet sportive në vend.

Mbrëmja gala do të zhvillohet më 18 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe nis në ora 18:00 me eventin që do të transmetohet direkt në kanalin zyrtar të FSHF në Youtube dhe në platformën Supersport, që është partneri mediatik i këtij eventi.