Kamarieri që u bë milioner… Ja kush ishte “mbreti” i yjeve të futbollit, Mino Raiola

30 Prill 2022
16:26
Alfred Lleshi
back button

Mino Raiola u nda sot nga jeta, në moshën 54-vjeçare, duke lënë emrin e tij të madh në fushën e menaxhimit të futbollistëve. Përveç kësaj, ai ka lënë “jetimë” emra të mëdhenj si Ibrahimovic, Pogba, De Ligt, Haaland, Donnarumma, Balotelli etj. I njohur nga “Forbes” si një nga më të pasurit e botës, me rreth 85 milionë dollar në llogarinë e tij bankare, italo-holandezi nuk i mbijetoi dot sëmundjes së rëndë në mushkëri, për të cilën kishte shumë thashetheme, por jo gjëra zyrtare.

Më poshtë po ju njohim me një shkrim të “La Stampa”, bërë para një viti mbi figurën e menaxherit kontravers, që ia doli të dominoi prej shumë vitesh zanatin e tij: “Nuk kuptohet pse-ja apo ndoshta kuptohet shumë mirë, por shumë pretendojnë ta shikojnë akoma Mino Raiola nga lart poshtë. Prej CV-së, prej pamjes. Domethënë, të renditura, do të dëgjoni dhe do të lexoni gjithmonë, gjithmonë, dy gjëra.

E para: “Kamarieri që u bë milioner”. Që mund të jetë historia e shumë njerëzve, por me të është një klishe që ushqehej vazhdimisht. Shërbente për të ruajtur distancën dhe një nivel të caktuar përçmimi, i maskuar me admirim për ngjitjen sociale dhe ekonomike. Pastaj pak rëndësi kishte nëse realisht ishte djali i pronarit të një restoranti, i picerisë ku ndihmonte prindërit. Mino kontribuonte në mitologjinë:

“Kur shkruani se bëja picabërësin, gaboni. Bëja kamarierin”. E dyta: “Flet 8 gjuhë, të gjitha keq”. Gjë që nuk ishte e vërtetë apo aq më pak asnjë prej atyre që e kanë shkruar, e shkruajnë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë, nuk mund ta dijnë drejtpërsëdrejti, pasi nuk është parë kurrë një biseda individuale apo të përzemërta që të zhvillohej si një provim gjuhësh apo letërsish të huaja. Thjesht është kapur një shprehje e vërtetë e tij dhe i është zgjeruar kuptimi: “Flas shumë gjuhë, më e keqja është italishtja”.

Ja, kjo nuk i mungonte kurrë, batuta dhe ironia. Çdo gjë me një dimension të caktuar, e shkruar apo e thënë për Mino Raiola, nisej nga këtu dhe shpesh mbërrinte këtu. Sepse kishte më shumë se 20 vite që shëtiste midis zyrave të presidentëve e të drejtorëve sportivë të klubeve më të mëdha futbollistike europiane dhe prej mbi 10 vitesh ishte në fakt protagonisti kryesor (apo njëri nga dy) i tratativave më të rëndësishme të merkatos futbollistike.

Pika një dhe pika dy janë kripa e historisë së tij, e cila tregohet gjithmonë, pa përjashtim, me atë ton habie që iu kushtohet ndodhive sureale apo gjysmëreale. Si të thuash: ja e pabesueshmja që materializohet. Sa më shumë afera milionere bënte, aq më shumë rritej habia. Sepse ishte një regjistër komunikimi i lehtë dhe menjëherë i kuptueshëm, sidomos në ekstraktet e leximit të hallakatur: njeriu që nuk kishte asgjë dhe që kishte gjithçka, emigrant italian inteligjent, por i paedukatë, që çonte në shtëpi shifra monstruoze.

Pjesa e fundit, ajo e shifrave, ishte e padyshimtë: Në vitin 2022 rrumbullakosi 85 milionë dollarë sipas “Fobres”, gjë që mundësoi të arrihej në pikën e tretë fikse të narrativës raiolane: komisionet. Provoni të lexoni apo të dëgjoni: edhe në këtë rast nuk kishte një rrëfim që të mos kalonte nëpërmjet fenomenologjisë së “përqindjeve” që kapte sa herë që një futbollist i tij spostohej nga një skuadër në tjetrën.

Tema ishte më e vështirë dhe më teknike respektivisht asaj të kamarierit dhe të gjuhëve të huaja. Për këtë ishte i treti në klasifikim. Por, bashkuar me të dy të tjerat krijonte një efekt gjigantesk zilie sociale, çka ishte shifra e vërtetë e rrëfimit që i bënin të tjerët. Ekuacioni ishte pak a shumë ky: ishte kamarier, nuk dinte të fliste, por fitonte sa një kompani shumëkombëshe.

Në thelb, sinteza prodhonte dy efekte: Raiola ose mitizohej, ose përqeshej. Nuk ekzistonte shkallë që tas çonin nga njëra pikë te tjetra. Lart ose poshtë, kurrë lart e poshtë bashkë. Në fakt ishte pikërisht kjo madhështia e Raiolës, i cili nuk rrëfehej praktikisht kurrë. Një prej herëve të rralla në të cilën e bëri gjatë këtë gjë ishte për “GQ”. Asokohe doli një intervistë prej atyre për t’u mbajtur menjanë:

“Futbollistët i pyes: Do të bëhesh më i paguari apo më i miri?. Në qoftë se përgjigjen “më i paguari”, i tregoj derën. Piktori që pikturon një një kuadër për para dhe për pasion, nuk e shet pikturën. Paratë janë shumë të rëndësishme, por, në qoftë se i ndjek, nuk do të vijnë kurrë dhe, me kohë, përfundon duke kuptuar se është dikush më i pasur se ti”.

Më shumë të vjen të mendosh se thonë të kundërtën. Sepse paragjykimi bën skllevër shumë prej atyre që afrohen me historinë e tij. Sikur të mos jetë ideja që ta tregojë, por ajo që të zbulojë se çfarë mendojnë të tjerët për të. Domethënë se ishte produkti i gotës, i degjeneruar, pa kufizime dhe pa rregulla. Megjithatë, kufizimet dhe rregullat ekzistonin, ashtu si në jetën dhe punën e Raiola.

Mino do të kishte dashur të bëhej futbollist. Hollanda ishte një vend i bukur, ku mund të bëhej: “Tani jam i shëndoshë, por isha i fortë. E lashë dhe mendova të bëhesha avokat. Disa provime në Juridik edhe i kam dhënë. Në aspekte të caktuara ligjore sot nuk dëgjoj njeri. E megjithatë, Hollanda qëndron shumë me këtë histori dhe me suksesin tim, për shumë arsye. Njëra prej tyre, është një vend ku ndodhin gjëra që tjetërkund nuk mund të ndodhin. Kjo si për motive historike e kulturore, ashtu edhe për faktin që në thelb numerikisht është një vend i vogël, që ka pasur nevojë për inteligjencën e të tjerëve”, – thoshte agjenti i njohur.

Kështu Mino, me ta mbyllur me fushën, u bë përgjegjësi i parë i të rinjve të Haarlem (skuadra më e vjetër e Hollandës), pastaj drejtor sportiv i ekipit të parë, pasi bindi presidentin. Legjenda dhe tregime të kryqëzuara tregojnë se çdo të premte, presidenti shkonte për drekë në restorantin e familjes “Raiola” dhe se Mino, midis seriozes dhe gjysmëseriozes, i thoshte pak a shumë kështu: “Nga futbolli nuk kupton asgjë”. Një herë përgjigja qe: “Atëhere provoje ti, po të besoj skuadrën”.

Ideja për të prokurorin sportiv tashmë i kishte ardhur. Kishte themeluar një kompani ndërmjetësimi, “Intermezzo”, emër jo shumë i bukur, por mjaft efikas. Për pak kohë arriti t’i mbante në këmbë gjërat, deri kur një marrëveshje me sindikatën e futbollistëve hollandezë përcaktoi se “Intermezzo” ishte subjekti i vetëm i autorizuar për transferimin e futbollistëve hollandezë jashtë vendit.

Në Vendet e Ulëta ndodhte tashmë kështu prej kohësh. Përpara Mino, siç ka kujtuar Fulvio Paglialunga, ishin Coster Cor dhe Apollonius Konijnenburg. Coster Cor nuk ishte njeri dokudo, por një ish-tregtar mjaft i pasur diamantesh dhe vjehrri i Cruijff, duke qenë babai i fotomodeles Danny. Raiola nisi t’i dalë përpara, nuhati mundësinë e bërjes biznes. Atëherë, Ajax merrte lojtarë nga të rinjtë e skuadrave të tjera me një parametër shumë të ulët dhe më pas i shiste jashtë vendit.

Mino, fillimisht i propozon Corrado Ferlaino që të blejë skuadrën Haarlem nga Napoli, për të bërë të njëjtin operacion, por më pas pa të perëndonte gjithçka dhe nisi të lëvizte vetëm, deri në marrëveshjen me sindikatën. Operacioni i parë i vërtetë në Itali qe pikërisht ai që çoi Roy tek Foggia, pasuar pak kohë më pas nga transferimi i parë i rëndësishëm, ai i Bergkamp dhe Wim Jonk tek Interi.

Pastaj hapja me jashtë me Nedved, më pas goditja e vërtetë, domethënë prokura e Zlatan Ibrahimoviç. Që e ka treguar kështu takimin e tyre: “Kishim një tavolinë të prenontuar aty, por nuk e dija se çfarë tip njeriu kërkoja. Imagjinoja një tip të ngrirë në kostum, me një orë më të trashë se timen. Por çfarë dreq individi ishte ai që hyri pas meje? Me xhinse, një bluzë “Nike” dhe me atë bark të madh, dukej si një nga Sopranot.

Donte agjent ky lloj barkaleci?! Dhe kur porositëm, çfarë mendoni se erdhi? Një pjatë sushi me avokado dhe karkaleca? Jo, erdhi një mal me gjëra, ushqim sa për pesë veta dhe ai përlau gjithçka si i babëzitur”.

Përreth Ibrës vërtitet shumë nga fati dhe mitologjia e Raiola. Çdo ndryshim skuadre ka qenë një goditje për futbollistin dhe për agjentin. Dhe Zlatan ka ndryshuar 7 të tilla. Njëri prej këtyre, ai nga Inter tek Barcelona ka qenë themelor edhe për ndërtimin e personazhit dhe mitologjisë mbi pikën e tretë të biografisë së tij, që nuk mund të mungojë: komisionet.

Në marrëveshjen që mundësoi arritjen e Ibra te Barça, klubi impenjohej që t’i derdhte agjentit një shpërblim prej 1 milion e 200 mijë eurosh në vit deri në skadimin e kontratës së futbollistit me katalanasit. Ndodh prej vitesh që skuadrat iu paguajnë komisione menaxherëve, e megjithatë duket sikur i ka shpikur Raiola, me gjithçka që kjo nënkupton. Sepse mbi komisionet ngrihet edhe superstruktura e negativitetit që rrethon futbollin global.

E vërteta është se, për futbollin, Raiola ishte personazhi i dekadës. Ka qenë ai që e ka transformuar përfundimisht prokurorin në protagonist. E ka kapur rolin e tij dhe e ka bërë të dalë nga errësira e dhomave në të cilan kryhen punët dhe e ka nxjerrë përpara telekamerës. Një Don King pa flokët e ngritur e me syze, ama me të njëjtën aftësi për të bërë shou në çdo deklarim.

Ai ishte mbreti i tavolinës: ul dhe ngre postin e lojës. Me skuadrën shitëse dhe me atë që ishte e interesuar për lojtarin e tij. Në thelb, zanati ishte ky: të veprosh në mënyrë të tillë që i asistuari yt të paguhet më shumë, në mënyrë që edhe agjenti të rrisë komisionet e tij. Thjeshtësia e të natyrshmes që për paradoks komplikon verën edhe dimrin e tifozëve, trainerëve, shokëve, kundërshtarëve.

Sepse prokurorët ushqejnë pasione dhe tensione, entuzazmojnë dhe deprimojnë. “Çdo zgjidhje është e mundur, – u thoshte Raiola klientëve të tij. – Nuk ka siguri. Puna ime nuk është që t’i çoj të gjithë këtu apo atje. Nuk jam taksixhi. Menaxhoj njerëz për të cilët jam shumë krenar që nuk kanë dalë kurrë nga provinca. Zanati im është që të ndihmoj njerëzit të gjejnë dimensionin e tyre.

Me djemtë nuk ka kontrata. Mjafton një shtrëngim duarsh. Takohemi dhe kuptohemi, por, më pas, nëse nuk kuptohemi më, janë të lirë të gjithë. Tani më pyesin të gjithë: si e ke bindur Pogba? Ma kërkoi ai. Në fillim nuk kisha shkuar as edhe ta takoja pasi më dukej një humbje kohe. Më zgjoi një mik: Mino, po gabon. I dhashë të drejtë.

E pashë të luante dhe u dashurova. Nuk po gaboja, po kryeja një krim”. 100 milion e më tepër për Juventus, 13 në vit për 5 vjet futbollistit, 25 për të. Masa e krimit sot është kjo. Ama është dimensioni i asaj që shumë e kanë mbajtur të fshehur. Sepse problem nuk është Raiola sesa të mos besosh në atë që ka. Pogba ishte i Manchester United me kosto zero.

Sot është investimi më i shtrenjtë i historisë së tij dhe njëkohësisht i historisë së futbollit. Për paradoks, Raiola ishte zgjidhja. Pa të, ndoshta Pogba i larguar nga Manchester United në moshën 19 vjeçare do të kishte përfunduar në gjysmëharresë. Atëhere kush ka të drejtë?

I thonë dhe do t’i thonë gjithmonë se nuk ka asnjeri në botë që një monument si Alex Ferguson ta urrejë më shumë se atë. Sepse duke çuar Pogba tek Juve, Mino demonstroi se edhe monumentet gabojnë: “Ferguson thotë se nuk ka urryer kurrë asnjeri përveç meje. Është një kompliment i madh. Nëqoftëse nuk ke armiq, nuk ke punar mirë. Gjërat normale i bëjnë të gjithë. Unë lëviz ajrin. Lëviz ëndërrat. Dhe herë pas here zemëroj ndokënd”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit