Mehmeti shkund Partizanin: Lojtarë, e dini çfarë ngjyrash përfaqësoni?!

15 Janar 2022
11:13
Alfred Lleshi
back button

Partizani është 15 pikë larg Tiranës, kreut të Superiores. Kjo është “fotografia” e kuqe, në prag të ndeshjes së javës së 16-të të kampionatit. Kalendari i vendos “demat” ndaj Egnatias, me nevojën për ta nisur mbarë vitin 2022. Sikurse dihet, ka ndryshime në stolin drejtues, pas largimit të Ilir Dajës dhe “gradimit” të Dritan Mehmetit. Në konferencën për shtyp, ky i fundit u shpreh:

“Jam trajner i familjes së kuqe dhe e njoh ambientin, e kam më të thjeshtë të injektoj idetë e mia. E njoh filozofinë e Partizanit dhe kemi ndryshuar diçka. Është e rëndësishme që skuadra të arrijë objektivin, duhet t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Kemi ndryshuar sa i përket mentalitetit dhe entuziasmit. E rëndësishme është të ndryshojmë edhe marrëdhënien me tifozët dhe të dalim nga kjo situatë të gjithë bashkë.

Partizani duhet të shkojë te filozofia e vet, lojtarët duhet ta kuptojnë se çfarë ngjyrash përfaqësojnë. Është e rëndësishme që çdo lojtar ta meritojë këtë fanellë. Egnatian e vlerësojmë në maksimum, të gjithë në Superiore meritojnë respekt. Sidoqoftë, ne jemi Partizani dhe shkojmë për të marrë më të mirën.

Më shumë kam punuar për entuziasmin dhe sistemin e lojës, sepse ishte një kohë e shkurtër për ndryshime të mëdha. Do të mundohemi të marrim mamsikumin. I rëndësishëm është mentaliteti, të jemi të vetdijshëm për situatën.

15 pikë larg Tiranës? Skuadra jonë duhet të jetë e përqendruar te ndeshja e radhës, ta respektojë kundërshtarin, por të bëjë më mirë se ai. Sa i përket merkatos, ne punojmë në staf, jam në kontakt me drejtorin. Kemi bërë një analizë të hollësishme për ecurinë dhe kemi nxjerrë konkluzione. Po marrim masa që të bëjmë më të mirën për skuadrën, pasi në janar është e vështirë të godasësh. Nuk mund të flasim për emra konkretë, kemi nevojë në disa pozicione dhe po punojmë të marrim lojtarët që na duhen.

Çinari, Shkurtaj? Nuk fokusohemi tek emrat, nuk flas me emra konkretë. Kur të ketë zyrtarizime, atëherë do të jemi më korrektë në këtë pjesë. Për efekt të merkatos nuk mund të jetë nesër Kallaku. Ai ka cilësitë e duhura dhe Partizani ka nevojë për të. Megjithatë, Partizani nuk e ka bazuar lojën te një lojtar, por te forca e grupit. Të gjithë janë të rëndësishëm dhe do të bëjnë mirë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit