Merkatoja e AF Elbasani me apo pa buxhet?

1 Korrik 2023
8:10
Telesport
back button

Nga ARTUR ZEKTHI
Çdo ditë në media dhe në faqen zyrtare po shfaqen futbollistë të kontraktuar në merkaton që po zhvillon AF Elbasani. Natyrisht që në nivelin e kategorisë konkuruese ku do të marrë pjesë ky klub në sezonin 2023-2024, merkatoja është një mision i domosdoshëm. Por njëkohësisht dihet se çdo merkato kërkon një buxhet financiar, gjë që duket i pamundur për t’u realizuar nga buxheti publik që bashkia, si pronare me 100% të aksioneve, ta plotësojë.

Ndaj natyrshëm lindin disa pikëpyetje që gjenerohen nga mungesa e transparencës publike, që duhet të bëjë klubi apo bashkia, pronare e një aseti publik siç është AF Elbasani. Dhe çka është më e thjeshta fillon nga fakti se: Nga vijnë këto para për një merkato të tillë? Kush e drejton këtë merkato dhe mbi çfarë parametrash kontraktohen këta futbollistë?

Kur do mundet AF Elbasani të bëjë transparencën e buxhetit financiar të kësaj periudhe 2-vjeçare të krijimit? Cili është roli dhe funksioni i bordit drejtues të këtij klubi në administrimin e menaxhimin e tij? Cila është struktura dhe organika e këtij klubi?

Cili është vizioni dhe strategjia e klubit në kushtet e konkurimit në Kategorinë e Parë profesioniste dhe raporti me LIGJIN PËR SPORTIN? Duket se një mjegullnajë e qëllimshme qëndron si vello e zezë mbi akademinë e futbollit e ndoshta konstituimi i Këshillit të Ri Bashkiak do të sjellë një vjeshtë të nxehtë llogaridhënie për Bashkinë e Elbasanit dhe të rimandatuarin Gledian Llatja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit